Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 220/2019 të 10 korrikut 2019

Nr. të lëndës KI 184/19

Parashtruesit: Naser Gashi

Shkarko:

KI184/19, Parashtrues: Naser Gashi, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 220/2019 të 10 korrikut 2019

KI184/19, Aktvendim për papranueshmëri i 5 shkurtit 2020, publikuar më 17 gusht 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, aktvendim për papranueshmëri 

Bazuar në shkresat e lëndës, rrjedh se nga viti 2004 deri më 3 janar 2018, parashtruesi i kërkesës dhe V.A. kanë jetuar së bashku në një bashkësi jashtëmartesore.

Më 19 janar 2018, V.A. parashtroi kërkesë në Gjykatën Themelore për shkak të dhunës në familje duke kërkuar që asaj t’i lejohej masa mbrojtëse, me qëllim të parandalimit të maltretimit të saj të mëtejshëm fizik dhe psikik nga parashtruesi i kërkesës.

Gjykata Themelore e aprovoi kërkesën e personit për shqiptimin e masës mbrojtëse për një periudhë një vjeçare. Pas skadimit të periudhës një vjeçare, personi V.A. parashtroi përsëri kërkesë, duke kërkuar vazhdimin e masës mbrojtëse.

Gjykata e rregullt aprovoi përsëri kërkesën për shqiptimin e masës mbrojtëse për një vit. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme kundër vendimeve për vazhdimin e masës mbrojtëse, të cilën Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e refuzuan.

Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës konsideron me vendimet e kontestuara me të cilat vazhdohej masa mbrojtëse pretendohet se shkelin të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

Pas shqyrtimit të kërkesës dhe analizimit të pretendimeve ankimore, Gjykata konkludoi se gjykatat e rregullta kishin përmbushur detyrimin e tyre sipas nenit 31 të Kushtetutës, si dhe nenit 6 të KEDNJ-së, në lidhje me vendimin e arsyetuar, për ç’arsye pretendimet e parashtruesit të kërkesës që me vendimet e kontestuara është shkelur e drejta për një gjykim të drejtë në atë segment janë të pabazuara.

Prandaj, Gjykata e deklaroi kërkesën e parashtruesit të pabazuar në baza kushtetuese dhe e deklaroi të papranueshme në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naser Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile