Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 155/2017 të 11 tetorit 2017, të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, AP. nr. 506/2008 të 15 prillit 2009, dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë, P. nr. 75/2001, të 4 prillit 2008
Nr. të lëndës KI 17/18
Parashtruesit: Ndue Lekaj
KI17/18 Parashtrues: Ndue Lekaj, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 155/2017 të 11 tetorit 2017, të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AP. nr. 506/2008 të 15 prillit 2009 dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë P. nr. 75/2001 të 4 prillit 2008.
KI17/18, Aktvendim për papranueshmëri i 16 majit 2018, publikuar më 19 qershor 2018
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, procedurë penale, kërkesë për masë të përkohshme, qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullit 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6 paragrafi 1 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës konsideron se procedurat gjyqësore, në tërësi, të zhvilluara në Gjykatën e Qarkut në Pejë dhe në Gjykatën Supreme, në aspektin procedural dhe material ishin të padrejta, sepse ishte shkelur e drejta e tij për t’u mbrojtur personalisht në gjykata dhe përmes avokatëve.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se si rezultat i mosrespektimit të procedurave hetimore dhe gjyqësore, duke mbajtur një gjykim në mungesë të të akuzuarit pa praninë e mbrojtësit të autorizuar nga ai, janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 paragrafi 1 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 5 (E Drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Gjykata gjeti se në rastin aktual, i cili filloi më 21 gusht 2000 dhe përfundoi më 15 prill 2009, ishte përcaktuar përgjegjësia penale e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, Gjykata nuk do të merret me përcaktimin e bazueshmërisë së pretendimeve të parashtruesit se gjykatat e rregullta në këtë pjesë të procedurës kishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ, pasi që nuk ishin plotësuar dispozitat ligjore të parapara me nenin 49 të Ligjit, si dhe rregullin 36.1. c të Rregullores së punës.
Gjykata vërejti me tej se më 22 qershor 2017, parashtruesi paraqiti në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë me të cilën ai kërkoi përsëritje të procedurës për të përcaktuar prapë përgjegjësinë e tij penale.
Gjykata gjithashtu vërejti se më 11 tetor 2017, Gjykata Supreme nxori Aktvendimin Pml. nr. 155/2017, me të cilin kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të jashtafatshme, duke dhënë arsyetim të qartë dhe ligjor, ku theksohet se “parashtruesi ka pasur mbrojtës gjatë gjithë procedurës penale [… ] atij i ishte dorëzuar Aktgjykimi më 10.06.2009 […] ndërsa ai e parashtroi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë më 22.06.2017, domethënë më shumë se 8 vjet pas pranimit të aktgjykimit.“
Prandaj, nga kjo rrjedh se në këtë procedurë Gjykata Supreme nuk ishte marrë me përcaktimin e fajësisë apo pafajësisë së parashtruesit të kërkesës, por vetëm me çështjen procedurale në lidhje me afatet, me ç’rast arriti në përfundimin se kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë parashtruesi e kishte parashtruar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.
Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme në pajtim me rregullin 36 (1) (c) dhe (2) (b) të Rregullores së punës.
Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit për vendosjen e masës së përkohshme si të pabazuar.
Ndue Lekaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale