KI130/19, Parashtrues i kërkesës Fahri Mati, vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit E.Rev.nr.19/2019 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të datës 8 maj 2019
KI130/19, Aktvendim për papranueshmëri i 27 nëntorit 2019, i publikuar më 23 mars 2020
Fjalët kyç: Aktvendim për papranueshmëri, procedurë kontestimore, qartazi i pabazuar
Objekt i çështjes ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kundërshtuar të Gjykatës Supreme, i cili pretendohet se ka shkelur të drejtat dhe liritë e parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejt dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjet Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe neni 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Parashtruesi i kërkesës shkeljet e pretenduara i ndërlidhi me udhëzimin për mjete juridike të Gjykatës Themelore, e cila në vendimin e saj deklaroi se afati për parashtrim të ankesës ishte 15 ditë. Parashtruesi e parashtroi një ankesë ë Gjykatën e Apelit 14 ditë pas datës së dorëzimit të vendimit të Gjykatës Themelore, por ajo ishte refuzuar nga Gjykata e Apelit si e jashtafatshme. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij deklaroi se ai nuk pati një mjet efektiv juridik për shkak të gabimit të Gjykatës Themelore.
Gjykata, duke marrë parasysh thelbin e rastit të parashtruesit dhe vendimet e gjykatave të rregullta, arriti në përfundimin se udhëzimi për mjetin juridik i Gjykatës Themelore kishte të bënte me çështjen e juridiksionit të gjykatës dhe jo mbi meritat e kërkesëpadisë, nga e cila rrjedh se udhëzimi për mjetin juridik i Gjykatës Themelore nuk ka mundur që drejtpërdrejtë të ndikoj, në zvogëlimin apo mohimin të drejtave të paditësit nga kërkesëpadia të cilat ai do të kishte mundur t’i realizoj nëse ankesa do të ishte paraqitur në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.
Prandaj, Gjykata e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuar mbi baza kushtetuese, në përputhje me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Fahri Mati
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile