Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 5936/20, të 24 marsit 2021

Nr. të lëndës KI 120/21

Parashtruesit: Brahim Lajqi

Shkarko:

KI120/21, Parashtrues: Brahim Lajqi, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 5936/20, të 24 marsit 2021

KI120/21, Aktvendim për papranueshmëri i 8 qershorit 2022, publikuar më 30 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton se për shkak të borxhit për energjinë elektrike të shpenzuar, në shumë prej 355.02 euro, i cili pretendohet se është krijuar nga parashtruesi i kërkesës për periudhën kohore nga data 3 prill 2014 deri më 10 tetor 2018, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike paraqiti një propozim pranë përmbaruesit privat me qëllim të arkëtimit të këtij borxhi me dhunë.

Parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën Themelore prapësimin kundër aktvendimit të përmbaruesit privat, duke theksuar se një pjesë e borxhit i cili kërkohet nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike është parashkruar në pajtim me nenin 360 të LMD-së. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit e refuzuan këtë prapësim të parashtruesit të kërkesës, duke konsideruar se vetë veprimi i parashtruesit të kërkesës, i cili është manifestuar përmes pagesave individuale monetare për borxhin e maturuar, krijoi një situatë juridike që ai në mënyrë indirekte e pranoi ekzistimin e borxhit ndaj kreditorit (CESKO), duke e ndërprerë kështu afatin e parashkrimit që është duke rrjedhur.

Duke pasur parasysh një rezultat të tillë të procedurës gjyqësore, parashtruesi paraqiti kërkesën e tij në Gjykatë, duke konsideruar se përmes vendimeve të gjykatave të rregullta i janë shkelur të drejtat e tij, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] paragrafi 2, nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe me nenet 7 dhe 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata, duke i shqyrtuar me vëmendje pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se ai të gjitha shkeljet e pretenduara të Kushtetutës i shpjegon me pretendimet se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë zbatuar gabimisht nenin 360 të LMD-së, gjë që bie në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës se neni 31 i Kushtetutës, neni 6 i KEDNJ-së si dhe neni 10 i Deklaratës Universale janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit dhe zbatimit të gabuar të nenit 360 të LMD-së nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, kualifikohen si (i) pretendime të “shkallës së katërt” sepse ngërthejnë çështje që ndërlidhen me vërtetimin e gjendjes faktike dhe interpretimin dhe zbatimin e ligjit, përkatësisht me “ligjshmërinë” dhe jo me “kushtetutshmërinë”. Rrjedhimisht, Gjykata, pas një analize të detajuar të shkeljeve të pretenduara, arriti në përfundim se këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Sa i përket pretendimeve të tjera për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, Gjykata i deklaroi ato pretendime si qartazi të pabazuara në pajtim me kriterin (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” sepse parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka dhënë shpjegime në mbështetje të shkeljeve të pretenduara.

Parashtruesit:

Brahim Lajqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri