KI176/20, Parashtrues: Flortent Godeni, Fatmir Godeni, dhe Binije Godeni, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, AC.nr.4116/19,të 24 shtatorit 2020
KI176/20, Aktvendim për papranueshmëri i 9 dhjetorit 2021, publikuar më 29 dhjetor 2021
Fjalët kyçe: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë përmbarimore, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton që rasti ndërlidhet me dy kredi të cilat parashtruesit e kërkesës i kishin lidhur në vitin 2008 dhe 2009 me Pro Credit Bank si dhe në vitin 2010 edhe me Bankën Ekonomike. Si rezultat i mospagesës së plotë të borxhit të kredisë, për realizimin e plotë të borxhit në bazë të Kontratave mbi Hipotekën, Banka Ekonomike kishte paraqitur në Gjykatën Themelore, propozim për përmbarim të cilën Gjykata Themelore e kishte aprovuar duke lejuar përmbarimin. Pas prapësimit të parashtruesve të kërkesës kundër Aktvendimeve për lejim të përmbarimit, Gjykata Themelore kishte refuzuar prapësimin. Më pas, parashtruesit e kërkesës kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit i kishte refuzuar ankesat. Pas mbajtjes së tri seancave publike për shitjen e paluajtshmërive të lëna në hipotekë, Përmbaruesi Privat, Gjokë Radi, kishte nxjerrë dy Urdhra Përmbarimorë, përmes së cilëve caktoi ProCredit Bank si ofertues të vetëm për blerjen e patundshmërive të lëna në hipotekë. Më pas, parashtruesit e kërkesës parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit kundër dy Urdhrave Përmbarimorë, dhe kjo e fundit refuzoi si të pabazuar ankesat e parashtruesve të kërkesës. Më tutje, parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar ankesë në Gjykatën Themelore, duke pretenduar se kishin ndodhur parregullsi procedurale të zhvilluara në procedurën përmbarimore, nga Përmbaruesi Privat, Gjokë Radi, si dhe kërkuan përjashtimin e Përmbaruesit Privat, Gjokë Radi, nga rasti i tyre. Gjykata Themelore refuzoi ankesat e parashtruesve të kërkesës. Aktvendimi i Gjykatës Themelore u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit. Pas parashtrimit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, Zyra e Prokurorit të Shtetit, njoftoi parashtruesit e kërkesës se pretendimet e tyre nuk janë të mjaftueshme për të ngritur kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.
Parashtruesit e kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishin ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, duke pretenduar se me: i) veprimet kundërligjore dhe kundërkushtetuese të përmbaruesit privat të cilat bien ndesh me: 1. Dokumentin e besueshëm në bazë të cilit përmbaruesi ka lejuar propozimin për ekzekutim të kreditorit ProCredit Bank; 2. Përmbaruesi i ka trajtuar si te vërteta veprimet e ProCredit Bank edhe pse ato veprime bien ndesh me dispozitat ligjore pozitive; dhe 3. Organi përmbarues, pa u lëshuar në dispozita ligjore përkatësisht LPPP ka bërë lejimin e propozimit për ekzekutim edhe pse nuk do të duhej të bënte; si dhe ii) se vendimet e instancave më të ulëta nuk janë të arsyetuara.
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu pretendojnë se gjatë gjithë procedurës përmbarimore përkundër kërkesës së tyre që të bëhet ekspertiza financiare si dhe e ndërtimtarisë për caktimin e vlerës së tregut për paluajtshmëritë e lëna në hipotekë, është kundërshtuar nga përfaqësuesi i kreditorit e që është aprovuar nga përmbaruesi privat me arsyetimin se propozimi për caktimin e ekspertit të financave dhe i ndërtimtarisë ka për qëllim dhe i shërben vetëm zvarritjes së procedurës.
Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës gjithashtu kishin pretenduar edhe shkeljen e nenit 32 dhe nenit 54, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tyre rreth mënyrës se si vendimin i kontestuar, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e këtyre të fundit.
Lidhur me pretendimin e parashtruesve të kërkesës për mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, lidhur me këtë pretendim, konkludoi se të njëjtat janë çështje të ligjshmërisë që i takojnë kategorisë së pretendimeve të “shkallës së katërt”, rrjedhimisht, pretendime qartazi të pabazuara.
Lidhur me pretendimin e parashtruesve të kërkesës se nuk është marrë parasysh nga gjykatat e rregullta kërkesa e parashtruesve të kërkesës për ekspertizë financiare, Gjykata konludoi se ky pretendim i parashtruesve të kërkesës është i pambështetur dhe i paarsyetuar.
Lidhur me pretendimin specifik të parashtruesve të kërkesës për veprimet kundërligjore dhe kundërkushtetuese të Përmbaruesit Privat, Gjykata konsideroi se lidhur me këtë pretendim, Aktvendimi [Ac.nr.4313/2015] i Gjykatës së Apelit, i 3 prillit 2017 dhe Aktvendimi [Ac.nr.4315/2015] i Gjykatës së Apelit i 3 prillit 2017, janë “vendimi i fundit”. Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës në lidhje me këtë pretendim duhet të refuzohet si e paafatshme në pajtim me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Flortent Godeni, Fatmir Godeni, dhe Binije Godeni
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile