Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 11/2019 të 21 dhjetorit 2020

Nr. të lëndës KI 133/21

Parashtruesit: Zenel Rrahimi

Shkarko:

KI133/21, Parashtrues: Zenel Rrahimi, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 11/2019 të 21 dhjetorit 2020 

KI133/21, Aktvendim për papranueshmëri i  20 janarit 2022, publikuar më 21 mars 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, barazia e palëve, kohëzgjatja e procedurës, seanca publike, qartazi e pabazuar

 Nga shkresat e lëndës se parashtruesi i kërkesës ka lidhur kontratë pune me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), e cila ndër të tjera përmbante një dispozitë që ai si punonjës i KEK-ut duhet të ketë njehsorin e energjisë elektrike të regjistruar në emër të tij. Parashtruesi i kërkesës e regjistroi njehsorin e energjisë elektrike në shtëpinë e vëllait të tij në emrin e tij. Gjatë kontrollit të njehsorit, shërbimi teknik i KEK-ut ka konstatuar se ka pasur manipulim të atij njehsori. Me atë rast, Menaxhmenti i KEK-ut nxori vendimin nr. 265 për ndërprerjen e kontratës së punës me parashtruesin e kërkesës për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës. Po ashtu, KEK-u ka ngritur kallëzim penal kundër tij.

Në procedurën penale, e cila është zhvilluar në Gjykatën Themelore, parashtruesi i kërkesës është liruar nga përgjegjësia penale, për shkak se është vërtetuar se një person tjetër ka manipuluar njehsorin e energjisë elektrike dhe jo parashtruesi i kërkesës.

Duke pasur parasysh aktvendimin e Gjykatës Themelore përmes të cilit u hodh poshtë kallëzimi penal i KEK-ut, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë te menaxhmenti i KEK-ut, me të cilën kërkoi rishqyrtimin e vendimit nr. 265. Drejtori Ekzekutiv i Divizionit të Rrjetit të KEK-ut nxori vendimin nr. 948 me të cilin refuzoi kërkesën e parashtruesit.

Parashtruesi i kërkesës inicioi procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut, përmes të cilës kërkoi anulimin e vendimit nr. 948 për ndërprerje të marrëdhënies së punës, si dhe kthim në vendin e punës. Si dëshmi kryesore parashtruesi i kërkesës paraqiti aktvendimin e Gjykatës Themelore me të cilin është vërtetuar se ai nuk ka kryer vepër penale. Gjykata Themelore e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit, e anuloi vendimin e KEK-ut dhe urdhëroi kthimin e parashtruesit të kërkesës në vendin e punës. KEK-u parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e miratoi ankesën, dhe nxori aktgjykimin me të cilin e anuloi vendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila nxori aktgjykimin përmes të cilit vërtetoi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Parashtruesi parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nenet 24, 46 dhe 54 të Kushtetutës dhe kërkoi mbajtjen e një seance publike.

Duke analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e përmendura të neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, Gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës në thelb e ndërtoi kërkesën ekskluzivisht në shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së sa i përket drejtësisë së procedurës, barazisë së palëve në procedurë si dhe kohëzgjatjes së procedurës në Gjykatën Supreme.

Gjykata, duke i analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në pajtim me praktikën gjyqësore të saj, si dhe me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me drejtësinë e procedurës dhe barazinë e palëve në procedurë janë të pabazuara. Sa i përket kohëzgjatjes së procedurës, Gjykata, duke zbatuar parimet dhe standardet e GJEDNJ-së, arriti në përfundimin se koha për shqyrtimin e revizionit të parashtruesit të kërkesës prej rreth 24 muajsh mund të konsiderohej e arsyeshme në rrethanat e rastit konkret, dhe si rrjedhojë, nuk kishte pasur shkelje të të drejtave nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me kohëzgjatjen e procedurës.

Rrjedhimisht, Gjykata hodhi poshtë të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 24, 46 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata, duke pasur parasysh se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte ndërtuar ato, konkludoi se këto pretendime duhet të shpallen të papranueshme si pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”.

Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit për mbajtje të një dëgjimi publik për shkak se në kërkesë ai nuk i arsyetoi pretendimet e tij për nevojën e mbajtjes së saj.

Parashtruesit:

Zenel Rrahimi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile