Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetut-shmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML.nr. 20/2021 të 16 shkurtit 2021

Nr. të lëndës KI 57/21

Parashtruesit: Enes Xhemaj

Shkarko:

KI57/21, Parashtrues: Enes Xhemaj, Kërkesë për vlerësim të kushtetut-shmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme PML.nr. 20/2021 të 16 shkurtit 2021

KI57/21, Aktvendim për papranueshmëri 25 nëntor 2021, publikuar më 14 dhjetor 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm 

Në bazë të shkresave të lëndës rezulton që rasti konkret para gjykatave të rregullta kishte të bënte me një ngjarje në të cilën parashtruesi i kërkesës kishte përdorur armë zjarri. Në lidhje me këtë, më 11 dhjetor 2018, Prokuroria e Shtetit në Prizren – Departamenti për krime të rënda ngriti Aktakuzën PP/I. nr. 72/18 në Gjykatën Themelore, ndaj parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar se ai kishte kryer veprën penale „vrasja në tentativë nga neni 178 KPRK-së dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, par. 1 të KPRK-së“. 

Në procedurën pranë gjykatës së rregullt, Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës e pranoi kryerjen e veprës penale. Gjykata Themelore më 10 mars 2020 nxori Aktgjykimin PKR. nr. 115/18, me të cilin e ndryshoi veprën penale të parashtruesit të kërkesës, duke gjetur se nga faktet dhe provat rezultonte që ai kishte kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 356 paragrafi 1 të KPRK-së në lidhje me nenin 31 të KPRK-së, me ç’rast i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vitesh, ndërsa për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së,“  i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vitesh.

Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit duke konsideruar se „i) aktgjykimi është i paqartë në tërësinë e tij dhe kundërthënës, ii) gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje të ligjit penal në dëm të akuzuarit, sepse nuk janë marrë për bazë faktet gjatë administrimit të provave dhe se kjo ka ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike.  Mbrojtja konsideron se i akuzuari ka vepruar në mbrojtje të nevojshme, sepse është sulmuar nga 10 persona e më shumë dhe se këtu i akuzuari nuk ka pasur për qëllim kryerjen e veprës penale. iii) si dhe lidhur me sanksionin penal, mbrojtja thekson se dënimi nuk është i drejtë, sepse aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe se çfarëdo dënimi nuk është i drejtë dhe as i ligjshëm”

Më 20 tetor 2020, Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin PAKR. nr. 261/2020, përmes së cilit “sipas detyrës zyrtare, ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda PKR. nr. 115/18 të datës 10.03.2020, sa i përket vendimit mbi dënimin, ndërsa sa i përket veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 KPRK-së lidhur me nenin 31 të KPRK-së, Gjykata e pranoi lartësinë e dënimit të shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vitesh.

Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të gjykatave të shkallës më të ulët, pikërisht duke konsideruar se gjykatat e shkallës më të ulët kishin shkelur ligjin penal kur konkluduan se ai kishte kryer veprën penale nga neni 356 paragrafi 1 i KPRK-së në lidhje me nenin 31 të KPRK-së. Në fakt, parashtruesi i kërkesës konsideronte se ai e kishte kryer veprën penale në vetëmbrojtje.

Më 16 shkurt 2021, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin PML. nr.  20/2021, përmes së cilit refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës, duke theksuar, pretendimet se aktgjykimet e kundërshtuara përmbajnë diskrepancë mes dispozitivit dhe arsyetimit, po ashtu del të jetë i pabazuar, pasi që gjykata e shkallës së parë ka ndryshuar përshkrimin e dispozitivit të aktgjykimit nga përshkrimi i bërë në aktakuzë dhe me këtë rast është dhënë arsyetim për çdo pikë të aktgjykimit përkitazi me faktet vendimtare dhe posaçërisht për ricilësimin e veprës penale përkitazi me të dy të dënuarit, ashtu që arsyetimin e gjykatës së shkallës së parë e aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme e Kosovës, andaj bazuar në këtë del se pretendimi i theksuar në kërkesë ishte i pabazuar. 

Pikërisht lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se me një ricilësim të tillë të veprës penale atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], nenin 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk ka arsyetuar detajisht pretendimet për shkelje të neneve të Kushtetutës, porse për të gjitha nenet ka dhënë një arsyetim të përgjithshëm, mbi bazën e të cilit mund të konkludohet që parashtruesi konsideron se gjykatat kanë vërtetuar gabimisht faktet lidhur me kryerjen e veprës penale, dhe se me ricilësimin atij i kanë shkelur nenet e cekura të Kushtetutës.

Gjykata, duke analizuar vetë esencën e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, ka gjetur se ato në përgjithësi kanë të bëjnë me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për çka parashtruesi i kërkesës në një farë mënyre ka dhënë shpjegim, prandaj Gjykata pretendimet e parashtruesit të kërkesës i vlerësoi në dritën e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, me atë rast duke zbatuar parimet e GJEDNJ-së nga vendimi Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar.

Duke vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në dritën e shkresave të lëndës, Gjykata konkludoi se për të nuk është kontestues ky ricilësim i veprës penale nga Gjykata Themelore, dhe kjo mu për faktin se Gjykata Themelore nuk është e lidhur me propozim aktakuzën e Prokurorisë se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale vrasje në tentativë sipas nenit 178 të KPK-së në lidhje me nenin 28 të KPK-së, dhe kjo për faktin se Gjykata Themelore, duke vlerësuar të gjitha provat e administruara, arriti në përfundimin se në veprimet e parashtruesit të kërkesës, në kuptimin subjektiv dhe objektiv, formohen të gjitha tiparet thelbësore të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

Gjykata rikujtoi se sipas teorisë dhe praktikës të së drejtës penale, identiteti objektiv i aktakuzës dhe i aktgjykimit nuk do të vihen në dyshim nëse në aktgjykim ndryshohen rrethanat në lidhje me natyrën më të butë të veprës penale, ose rrethanat të cilat e përcaktojnë më nga afër veprën penale, dhe nëse në aktgjykim ndryshohen rrethanat, të cilat nuk janë thelbësore për përshkrimin e veprës, si dhe nëse në aktgjykim përcaktohet më qartë dhe më saktë përshkrimi i përgjithshëm faktik i veprës nga propozim akuza.  Në çdo rast, Gjykata rikujtoi se identiteti objektiv i aktakuzës dhe aktgjykimit nuk cenohet nëse bëhet fjalë për ndryshime të tilla që nuk hyjnë në thelbin e veprës penale të përmbajtur në aktakuzë, me kusht që i akuzuari të mos dënohet për një vepër penale më të rëndë nga ajo që përfshihet në aktakuzë.

Prandaj, Gjykata, në bazë të të gjitha të lartcekurave, konkludoi që gjykatat e rregullta kanë respektuar detyrimin e tyre sipas nenit 31 paragrafi 1 të Kushtetutës dhe nenit 6 paragrafi 1 të KEDNJ-së, për të cilën arsye janë të pabazuara pretendimet e parashtruesit të kërkesës se përmes vendimeve të kontestuara është shkelur e drejta për gjykim të drejtë  në atë segment. Gjykata konstatoi se asgjë në rastin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës në mbështetje të ricilësimit të veprës penale nuk tregon se procedurat ishin të padrejta ose arbitrare në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të bindet se parashtruesit të kërkesës i ishte mohuar ndonjë garanci procedurale, e cila do të çonte në shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31  të Kushtetutës, përkatësisht me nenin 6 të KEDNJ -së.

Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 3, 23, 24, 29, 30 dhe 54, e të cilat nuk i ka arsyetuar, Gjykata konkludoi që ato pretendime duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara“, sepse parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësinë për t’i ndërtuar ato në kërkesë, gjë të cilën ai nuk e ka bërë.  Rrjedhimisht, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores se punës.

Parashtruesit:

Enes Xhemaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale