Aktvendim

Kërkesë për kthimin në gjendje të mëparshme të “çështjes së përfunduar” me Vendim për refuzim në rastin KI104/19, të 16 janarit 2020 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-19- 0013] të 28 shkurtit 2019 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Nr. të lëndës KI 185/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI185/20, Parashtruesi i kërkesës: ENA sh.a, Kërkesë për kthimin në gjendje të mëparshme të “çështjes së përfunduar” me Vendim për refuzim në rastin KI104/19, të 16 janarit 2020 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-19- 0013] të 28 shkurtit 2019 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

KI185/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 13 prill 2021, publikuar më 30 prill 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për kthimin ën gjendje të mëparshme, kërkesë e pasafatshme, kërkesë e papranueshme.

Më 20 qershor 2019, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar kërkesën në Gjykatë, përmes të cilës ishte kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-19- 0013] të 28 shkurtit 2019 të Kolegjit të Apelit  të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.  Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij të parashtruar në Gjykatë, nëpërmjet postës, nuk kishte (i) dorëzuar formularin e plotësuar të Gjykatës për kërkesa individuale dhe po ashtu nuk kishte dorëzuar (ii) autorizimin e vlefshëm që dëshmon se e përfaqëson fabrikën “ENA” në Gjakovë ashtu siç kërkohet me rregullin 32 (1) dhe (3) të Rregullores së punës. Më 29 korrik 2019, në mungesë të adresës së shënuar nga parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij (ashtu siç kërkohet me rregullin 32 (2) (a) të Rregullores së punës) dhe të një numri kontaktues (siç kërkohet në formularin e kërkesës për kërkesa individuale), Gjykata kërkesën e saj për (i) dorëzimin e formularit të plotësuar të Gjykatës për kërkesa individuale dhe të (ii) autorizimit për përfaqësim në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh e kishte dorëzuar në adresën [e  selisë së Fabrikës “ENA”, rruga “Nënë Tereza”, p. nr. Gjakovë].  Në bazë të fletëkthesës, të pranuar në Gjykatë më 1 gusht 2019, dëshmohet se Njoftimi i Gjykatës, i 29 korrikut 2019 ishte dorëzuar në adresën e lartshënuar [rruga “Nënë Tereza”, p. nr. Gjakovë]. Megjithatë, Gjykata nuk kishte pranuar dokumentet e kërkuara për plotësimin e kërkesës dhe më vonë edhe pas përsëritjes së kërkesës së Gjykatës përmes shkresës së 21 tetor 2019, Gjykata sërish nuk kishte pranuar dokumentet e kërkuara.  Rrjedhimisht, si rezultat i mospranimit të dokumenteve të kërkuara nga z. Ruzhdi Kumnova, në cilësinë e tij si përfaqësues i pretenduar, më 16 janar 2020, Gjykata vendosi që kërkesën në rastin KI104/19 ta refuzojë me procedurë të shkurtër ashtu siç është përcaktuar me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës.

Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tanishme, në cilësinë e personit juridik, i cili përfaqësohet nga Drejtori i saj Ruzhdi Kumnova kërkon lejimin e kthimit në gjendje të mëparshme të kërkesës së tij KI104/19, përmes të cilës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-19- 0013] të 28 shkurtit 2019 të DHPGJS-së.  Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës pohon se ai kurrë nuk kishte pranuar shkresat e Gjykatës, të 29 korrikut 2019 dhe 21 tetorit 2019, respektivisht përmes të cilave ishte kërkuar dorëzimi i formularit të plotësuar dhe autorizimit për përfaqësim. Në të njëjtën kohë, parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i kontestuar i DHPGJ-së është nxjerrë në shkelje drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Gjykata duke iu referuar shkresave të lëndës të dorëzuara në kërkesën e tij, të regjistruar me numër KI104/19 dhe arsyetimit të tij të dhënë në kërkesën e tij të tanishme, përmes të cilës kërkon në mënyrë specifike kthimin në gjendje të mëparshme të kërkesës së tij KI104/19, vlerëson se kjo kërkesë nuk plotëson kushtet e përcaktuara përmes nenit 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata pas konstatimit se nuk janë plotësuar asnjëri nga kushtet e përcaktuara në nenin 50 të Ligjit për kthim në gjendje të mëparshme, konstatoi se kërkesa është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

ENA sh.a

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile