Aktvendim

Kërkesë për interpretim të aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit

Nr. të lëndës KO 124/19

Shkarko:
Përmbledhje

KO124/19, Parashtrues i kërkesës: Kryeministri i Republikës së Kosovës, kërkesë për interpretim të aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit

KO124/19, Aktvendim i miratuar më 4 shtator 2019, i publikuar më 16 shtator 2019

Fjalët kyç: kërkesë institucionale, kompetencat e qeverisë, çështje kushtetuese, dorëheqja e kryeministrit, jurisdiksioni i gjykatës kushtetuese, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës bazuar në nenin 93 (10)  [Kompetencat e Qeverisë] të Kushtetutës parashtroi pyetje për interpretim të aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit.

Gjykata së pari iu referua jurisprudencës së saj më të re përkitazi me pyetjet juridike të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës. Gjykata konsideroi se duhet vlerësuar nëse kërkesa e parashtruesit e bazuar në nenin 93 (10) është arsyetuar në kuadër të jurisdiksionit të Gjykatës të përcaktuar me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës.

Gjykata gjithashtu vuri në pah se kërkesa e tanishme e parashtruar në bazë të nenit 93 (10), sikurse edhe kërkesat tjera të ngjashme që më herët ishin dorëzuar në bazë të nenit 84 (9) [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës, duhet medoemos të arsyetohen në kuadër të jurisdiksionit të Gjykatës të përcaktuar me nenin 113 të Kushtetutës.

Në këtë drejtim, Gjykata ritheksoi se përmbajtja e dispozitës së nenit 113 të Kushtetutës, marrë në tërësinë e saj, është e qartë dhe konkrete për sa u përket kompetencave të Qeverisë që dalin nga konteksti i palës së autorizuar në Gjykatën Kushtetuese. Rrjedhimisht, me gjithë nevojën që mund të paraqitet në praktikë për interpretim lidhur më çështje tjera të rëndësishme  përkitazi me  kompetencat e  Qeverisë,  rezulton që neni 113 i Kushtetutës paraqet bazën themelore dhe të vetme jurisdiksionale të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me autorizimet e Qeverisë si palë e autorizuar për të dërguar çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata më tej theksoi se kërkesa e parashtruar, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit,  do të mund të shtrohej vetëm në kuadër të nenit 113, paragrafi 2, ku palët e autorizuara mund të kontestojnë në Gjykatë çështje që ndërlidhen me përputhshmërinë me Kushtetutën të dekreteve të Kryeministrit, si dhe të rregulloreve të Qeverisë  ose në bazë të nenit 113, paragrafi 3, si çështje që ndërlidhen me situata të konfliktit të kompetencave kushtetuese të Kuvendit, Presidentit dhe të Qeverisë.

Nga sa më sipër, Gjykata konkludoi  se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës dhe rrjedhimisht përkundër rëndësisë së tyre dhe dilemave legjitime që mund të ngritin, Gjykata nuk mund të jap përgjigje në pyetjet e parashtruara përderisa nuk janë parashtruar në Gjykatë sipas procedurave të parapara me Kushtetutë.

Rrjedhimisht, Gjykata përfundoi se kërkesa e parashtruesit është e papranueshme për shkak se nuk hyn brenda kufijve të jurisdiksionit të saj të përcaktuar me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës.

Parashtruesit:

Kryeministri i Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktvendim