Aktvendim për papranueshmëri

Aktgjykimit [PML. nr. 336/2023], i 25 shtatorit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI294/23

Parashtruesit: Sadri Mazreku

Shkarko:

KI294/23, Parashtrues Sadri Mazreku, Aktgjykimit [PML. nr. 336/2023], i 25 shtatorit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës 

KI294/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 26 nëntorit 2024, publikuar më 18 dhjetor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mosshterim substancial, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes, e pambështetur dhe e paarsyetuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktgjykimin [P. nr. 274/2015] e 21 shtatorit 2022 të Gjykatës Themelore në Gjakovë përmes të cilit e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga paragrafi 1 i nenit 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe e dënoi të njëjtin me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) muajve. Më 12 prill 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1. nr. 1805/22] e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore me ç’ rast e ricilësoi veprën penale të “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, nga paragrafi 2 i nenit 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe vërtetoi dënimin me burgim, por shndërroi të njëjtin në dënim me kusht. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu parashtroi 3 (tri) kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të cilat Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr. 336/2023] të 25 shtatorit 2023, i refuzoi.

Parashtruesi i kërkesës në esencë pretendoi se aktgjykimi i kontestuar është i përfshirë në shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të: (i) interpretimit qartazi arbitrar të ligjit përkitazi me përmbushjen e elementeve të figurës së veprës penale; (ii) mosarsyetimit të vendimit gjyqësor; si dhe (iii) mospranimit të provave. I njëjti po ashtu pretendoi edhe shkeljen e nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.

Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për interpretimin qartazi arbitrar të ligjit në lidhje me përmbushjen e figurës së veprës penale, Gjykata konsideroi se gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje parashtruesit të kërkesës për pretendimet e tij për përmbushjen e elementeve të veprës penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, duke elaboruar të drejtën materiale dhe procedurale të aplikueshme në rastin konkret dhe se arsyetimi i tyre nuk kishte të bënte me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare”. Gjithashtu, në kontekst, të pretendimit për mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata, vlerësoi, se përveç adresimit të këtij pretendimi, gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje edhe pretendimeve të tjera thelbësore të parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit përkitazi me (i) interpretimin qartazi arbitrar të ligjit; dhe (ii) mosarsyetimin e vendimit gjyqësor, në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Ndërsa, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mospranimin e provave, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës këtë pretendim, në mënyrë specifike, nuk e kishte ngritur para gjykatave të rregullta dhe rrjedhimisht e refuzoi si të papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores se punës.

Në fund, përkitazi me pretendimet për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës vetëm kishte përmendur shkeljen e këtij neni dhe rrjedhimisht konstatoi se ky pretendim duhej deklaruar qartazi i pabazuar në kategorinë e pretendimeve të pambështetura apo të paarsyetuara, siç përcaktohet me nenin 48 të Ligjit, si dhe pikën (d) të paragrafit (1) dhe paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës

Parashtruesit:

Sadri Mazreku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale