Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën [C-III-12-0730] në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI102/23

Parashtruesit: Nezir Hoxha

Shkarko:

KI102/23, Parashtrues Nezir Hoxha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën [C-III-12-0730] në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme 

KI102/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 11 shtatorit 2024, publikuar më 10 tetor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, palë e paautorizuar

Rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me një çështje kontestimore për vërtetimin e pronësisë së një parcele, të iniciuar përmes padisë në vitin 1993 nga M. H., vëllau i të ndjerit I. H., njëkohësisht babai i parashtruesit të kërkesës, i cili më pas ndërroi jetë në vitin 1998. Para gjykatave të rregullta, fillimisht në Gjykatën Komunale në Gjakovë në vitin 2009 dhe më pas në lëndën e transferuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme në vitin 2012, palë paditëse ishte paraqitur djali i të ndjerit M.H., respektivisht, H. H. i cili e vazhdoi këtë procedurë gjyqësore deri në vitin 2020, kur edhe ndërroi jetë. Nga shkresat e lëndës po ashtu rezultoi se çështja kontestimore nuk ka mbaruar ende dhe është duke u shqyrtuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme me numrin e lëndës [nr. C-III-12-0730].

Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 [E drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të konventës së lartcekur, si rezultat i tejzgjatjes së procedurës gjyqësore përkitazi me vërtetimin e pronësisë së parcelës së kontestuar në lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Me qëllim të vlerësimit nëse kjo kërkesë është dorëzuar nga një palë e autorizuar, Gjykata më 3 maj 2024, kërkoi nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme që të sqarojë pozitën procedurale të parashtruesit të kërkesës në këtë çështje kontestimore, respektivisht që të konfirmojë nëse i njëjti është palë paditëse në lëndën në fjalë.

Duke qenë se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e informoi Gjykatën se më 19 qershor 2024, kishte nxjerrë aktvendim për ndërprerje të procedurës kontestimore deri në përfundimin e procedurës jokontestimore për saktësimin e trashëgimtarëve të palës paditëse, të ndjerit H. H., si dhe në mungesë të dokumentacionit që dëshmon se parashtruesi i kërkesës është trashëgimtar i palës paditëse, respektivisht të ndjerit H. H., në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Gjykata e shpalli kërkesën të papranueshme për shkak se është dorëzuar nga një palë e paautorizuar siç përcaktohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (a) të Rregullores së punës.

Megjithatë, Gjykata në aktvendimin e publikuar nuk e përjashtoi mundësinë që parashtruesi i kërkesës t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, në rast se vërtetohet legjitimiteti i tij aktiv në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë DHPGJS-së, si rezultat i saktësimit të trashëgimtarëve të palës paditëse, respektivisht të të ndjerit H. H., në procedurë jokontestimore.

Parashtruesit:

Nezir Hoxha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile