Arsimtarët e shkollave fillore vizituan Gjykatën

13.02.2023

Një grup prej 15 arsimtarësh të lëndës “Edukata Qytetare” në shkollat fillore të komunës së Fushë-Kosovës, Shtimes, Vitisë, Prizrenit dhe Prishtinës vizituan Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në kuadër të programit të trajnimit “Fuqizimi i të rinjve – Avancimi i sundimit të ligjit dhe edukimi mbi të drejtat e njeriut në shkolla”, i mbështetur nga Misioni i EULEX-it në Kosovë dhe që zbatohet nga organizata joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR-KS).

Arsimtarët u pritën në takim nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, i cili në mes tjerash, i njoftoi ata përkitazi me juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave, për përbërjen e gjyqtarëve kushtetues dhe procesin e zgjedhjes së tyre, si dhe për vendimmarrjen e Gjykatës dhe mekanizmat në dispozicion për monitorimin e zbatueshmërisë së tyre.

Ndër çështjet për të cilat arsimtarët shprehën interesimin e tyre që të informohen më në detaje për sa i përket punës dhe veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, ishte edhe procedura e përzgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues, mandati i tyre si gjyqtarë dhe mënyra e votimit gjatë trajtimit të lëndëve.