Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë viziton Gjykatën

10.05.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, z. Per Strand Sjaastad, të enjten, më 10 maj 2018.

Puna e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese, si dhe sfidat me të cilat aktualisht përballet ky institucion, ishin disa prej çështjeve për të cilat kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi ambasadorin Sjaastad.

Temë e bashkëbisedimit ishin edhe çështja e avancimit të legjislacionit vendor në mbrojtje të të drejtave të njeriut, zbatimi efektiv i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe përfundimi i mandatit të disa prej gjyqtarëve të Gjykatës dhe domosdoshmëria e përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj.

Kryetarja Rama-Hajrizi e falënderoi ambasadorin Sjaastad për ndihmën që shteti norvegjez i ka ofruar deri më sot Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe për realizimin e projekteve të ndryshme në lëmin e gjyqësisë kushtetuese.

Ambasadori Sjaastad u zotua për mbështetjen e mëtutjeshme të punës së pavarur të Gjykatës Kushtetuese nga qeveria e vendit që përfaqëson.