Ambasadori gjerman në Kosovë viziton Gjykatën

04.07.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt, të shoqëruar nga drejtori i Projektit për reformë ligjore të Agjencisë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) në Prishtinë, z. Karl Weber, të martën, më 4 korrik 2018.

Në takimin e zhvilluar, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi ambasadorin Heldt me punën e deritanishme të Gjykatës, me përbërjen aktuale të saj, si dhe me çështjen e mungesës së kuorumit të nevojshëm për shqyrtimin e kërkesave të parashtruara dhe për vendimmarrje.

Pasi që vuri theksin në pasojat e bllokimit të punës së Gjykatës Kushtetuese në mungesë të numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve, ajo shfrytëzoi rastin që të falënderojë Qeverinë gjermane për ndihmën e ofruar Gjykatës nëpërmjet projekteve të mbështetura nga Agjencia gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) dhe shprehu gatishmërinë që ky bashkëpunim i mirë të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Kryetarja Rama-Hajrizi në vijim të bisedës ritheksoi urgjencën dhe domosdoshmërinë e zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, duke pasur parasysh rolin esencial që luan ky institucion në ruajtjen e rendit kushtetues dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.

Ambasadori Heldt u zotua për mbështetjen e mëtutjeshme të Gjykatës Kushtetuese në punën dhe në misionin e saj për zbatimin e kushtetutshmërisë, dhe nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e zgjedhjes sa më shpejt të gjyqtarëve të rinj kushtetues dhe të funksionalizimit të plotë të Gjykatës.