Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ nr. 111/2022, të 23 dhjetorit 2022

Nr. të lëndës KI95/23

Parashtruesit: Sylë Vitija

Shkarko:

KI95/23, Parashtrues: Sylë Vitija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ARJ nr. 111/2022, të 23 dhjetorit 2022

KI95/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar më 10 shtator 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për  gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se në vitin 2009, parashtruesi i kërkesës, si anëtar i HANDIKOS-it, e kishte shfrytëzuar të drejtën për lirim nga taksa për zhdoganimin e automjetit, dhe më pas në vitin 2010, si invalid i UÇK-së ka shfrytëzuar përsëri të drejtën për lirim nga taksa për zhdoganimin e automjetit tjetër. Më 4 shkurt 2012, Dogana e Kosovës – Sektori i Auditimit të Jashtëm obligoi parashtruesin e kërkesës të paguajë obligimin (borxhin) doganor prej 14,733. 28 euro për mallin lëndor “automjet i ri për udhëtar” me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës, kjo e drejtë i takon vetëm një herë brenda pesë viteve, sipas Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës, ndërsa parashtruesi në rastin konkret e ka shfrytëzuar këtë të drejtë dy herë. Pas disa ankesave në Doganën e Republikës së Kosovës, ankesat e tij ishin refuzuar. Më pas parashtruesi i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me padi, dhe kjo e fundit kishte miratuar padinë e parashtruesit me arsyetimin se nuk janë prezantuar të gjitha provat dhe faktet që e mbështesin vendimin kontestues. Dogana e Republikës së Kosovës duke vendosur në rishqyrtim refuzoi sërish ankesën e parashtruesit pasi konstatoi se parashtruesi ka vepruar në kundërshtim me nenin 78 të Aneksit A të kreut XVIII të Kodit Doganor dhe të Akcizave, ku e drejta për lirim nga taksat doganore mund të shfrytëzohet një herë në pesë vite, ndërsa parashtruesi këtë të drejtë e shfrytëzoi dy herë brenda një viti. Parashtruesi sërish parashtroi padi në Gjykatën Themelore, kundër vendimit të lartpërmendur të Doganës së Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore e refuzoi si të pabazuar padinë duke e vërtetuar vendimin e kontestuar. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte miratuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit],  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së. Thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës kishte të bënte me shkeljen e nenit 31 në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe që ka të bëj me  (i) mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, nga ana e Gjykatës Supreme; si dhe (ii) divergjencën e praktikës gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme

Lidhur me pretendimet e parashtruesit për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, që ndërlidhen me interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, Gjykata konstatoni se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se si Gjykata Supreme gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, ky pretendim i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt”, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit për divergjencën e praktikës gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës në lidhje me ekzistimin e divergjencës në praktikë gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe asaj të Apelit, si dhe pretendimi i tij lidhur me shkelje të neneve 3, 24 dhe 31 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (d) të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Sylë Vitija

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative