Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim lamtumirës ambasadorin e deritanishëm të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.
Gjatë takimit të përbashkët miqësor, pasi që i shprehu mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë përgjatë viteve të shërbimit në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve reciproke ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, kryetarja Caka – Nimani e falënderoi ambasadorin Minxhozi edhe për kontributin e dhënë në kultivimin dhe avancimin e raporteve të bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të të dyja vendeve.
Ambasadori Minxhozi e falënderoi kryetaren Caka – Nimani për mirëpritjen e ngrohtë dhe vlerësimin, dhe shprehu zotimin e tij për të vazhduar me angazhimin edhe në nivel personal, në përkrahje të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të saj në rrugëtimin e tyre drejt integrimeve euro-atlantike.