Njoftim për vendim në rastin KO 160/23

01.08.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur përkitazi me kërkesën për masë të përkohshme në rastin KO 160/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga dymbëdhjetë (12) deputetë të Kuvendit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, ka vendosur që kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur, të refuzohet.

Vendimi i Gjykatës sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përkatësisht shkresës së 11 korrikut 2023 drejtuar deputetëve nga Kryetari i Kuvendit, përmes së cilës i njofton dhe i fton të njëjtit për seancën plenare të 13 korrikut 2023, duke bashkëngjitur rendin e ditës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë që akti i lartcekur nuk është në përputhshmëri me (i) nenin 68 [Seancat], nenin 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi] dhe nenin 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës në ndërlidhje me (ii) nenin 16 (Kryetari i Kuvendit), nenin 19 (Detyrat e Kryesisë) dhe nenin 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar, ndër tjerash, që (i) nuk është respektuar afati për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare sipas nenit 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit, mes tjerash, rendi i ditës, së bashku me materialet përkatëse, u shpërndahen deputetëve së paku dy (2) ditë pune para mbajtjes së seancës plenare; dhe që (ii) në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 19 (Detyrat e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, rendi i ditës nuk është paraqitur për miratim në seancën plenare të Kuvendit të 13 korrikut 2023, duke marrë parasysh që nuk ka pasur konsensus në Kryesinë e Kuvendit lidhur me rendin përkatës të ditës. Rrjedhimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) të shpallë aktin në fjalë në kundërshtim me Kushtetutën; dhe për pasojë (ii) të anulojë seancën plenare të Kuvendit të Republikës, të mbajtur më 13 korrik 2023, me pasojën e anulimit të të gjitha vendimeve, përfshirë ligjeve të miratuara në këtë seancë.

Vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata, që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, të vendosë masën e përkohshme ndaj aktit të lartcekur, përkatësisht “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, duke pezulluar për pasojë edhe efektin e të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara në atë seancë, sipas nenit 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Vendimi i Gjykatës, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, sqaron që (i) bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës dhe nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, deri në vendimin përfundimtar të saj, Gjykata mund të suspendojë efektet e aktit të kontestuar, sipas kërkesës së palës apo sipas detyrës zyrtare, nëse vlerëson që masa e përkohshme eviton dëme të pariparueshme dhe vendosja e të njëjtës është në interes publik; dhe që (ii) bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe nenin 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, me rastin e kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë para Gjykatës, efektit suspenziv i nënshtrohen të gjitha ligjet, por edhe vendimet e miratuara në Kuvend, e të cilat i nënshtrohen procedurës pasuese të shpalljes dhe/ose dekretimit nga Presidentja e Republikës.

Vendimi i Gjykatës sqaron që bazuar në dispozitat e lartcekura, përfshirë praktikën e saj gjyqësore, është e qartë që akti i kontestuar në rrethanat e rastit konkret nuk i nënshtrohet efektit suspenziv ex-lege dhe se rrjedhimisht, Gjykata, duhet të vendosë për miratimin ose refuzimin e kërkesës për masë të përkohshme. Kjo vendimmarrje, bazuar në rregullin 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, mund të bëhet së bashku ose ndaras nga kërkesa bazë, përkatësisht vlerësimit të kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar.

Vendimi i Gjykatës tutje thekson që, duke marrë parasysh se në rrethanat e rastit konkret nuk kontestohet ndonjë ligj ose vendim i miratuar nga Kuvendi, por një shkresë/akt përmes të cilit është thirrur seanca plenare e 13 korrikut 2023, në të cilën, ndër tjerash, janë miratuar ligje të cilat i nënshtrohen procedurave dhe afateve të përcaktuara në nenin 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës, në interes të parimit të sigurisë juridike dhe interesit publik, Gjykata ka vlerësuar që të trajtojë kërkesën për masë të përkohshme ndaras nga vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar para saj, duke mos paragjykuar në asnjë mënyrë vendimin përfundimtar të Gjykatës në këtë aspekt.

Bazuar në sqarimet e mësipërme, Gjykata përmes Vendimit të saj ka vlerësuar nëse në rastin konkret janë plotësuar kushtet për vendosjen e masës së përkohshme, të cilat janë të përcaktuara me nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullat 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës. Sipas këtyre dispozitave, kërkohet, ndër tjerash, që masa e përkohshme të ndërlidhet me (i) “çështjen që është objekt i procedurës para saj [Gjykatës]”, me kushtin që pala që kërkon masë të përkohshme të dëshmojë se (ii) masa e përkohshme është e nevojshme “për t’u evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme” ose që masa e përkohshme është në “interes publik.”

Gjykata, sipas sqarimeve të shtjelluara në Vendimin që do të publikohet, duke marrë parasysh se (i) kërkesa e parashtruesve të kërkesës ka për objekt shqyrtimi “Vendimin Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ndërsa vendosja e masës së përkohshme kërkohet lidhur me vendimet e miratuara në seancën e Kuvendit të datës 13 korrik 2023, përkundër faktit që parashtruesit e kërkesës nuk i kanë kontestuar ndaras/specifikisht këto vendime para Gjykatës; (ii) parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi ose arsyetim se pse pezullimi i efektit të të gjitha vendimeve të Kuvendit të miratuara në seancën e 13 korrikut 2023, i kontribuon evitimit të rreziqeve apo dëmeve të pariparueshme dhe për pasojë, interesit publik; dhe (iii) duke vlerësuar dhe balancuar efektet e vendosjes ose jo të masës së përkohshme dhe pezullimit të të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, në dritën e parimit të sigurisë juridike, si vlerë thelbësore e sundimit të ligjit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Gjykata ka vendosur të refuzojë kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj aktit të kontestuar në fjalë, duke theksuar që, një vendimmarrje e tillë nuk paragjykon në asnjë mënyrë vlerësimin e Gjykatës lidhur me kërkesën bazë, përkatësisht kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar.

Vendimi i Gjykatës në fund sqaron që kjo vendimmarrje nuk ndërlidhet dhe/ose nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023 dhe të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit sipas autorizimeve të përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, përkatësisht (i) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-583] për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, të regjistruar tashmë në Gjykatë si kërkesa KO 157/23; dhe (ii) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-142 për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, të regjistruar tashmë në Gjykatë si kërkesa KO 158/23.
Për më tepër, siç janë njoftuar të gjitha palët e interesuara nga Gjykata, kërkesa në rastin KO 158/23, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe nenin 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i nënshtrohet efektit suspenziv dhe rrjedhimisht, i njëjti nuk mund të prodhojë efekt juridik deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org