Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-21-0174, të 13 janarit 2022.

Nr. të lëndës KI29/22

Parashtruesit: “Kosovska Banka” DD Beograd

Shkarko:

KI29/22, Parashtrues “Kosovska Banka” DD Beograd; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-21-0174, të 13 janarit 2022.

KI29/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 majit 2023, publikuar më 11 korrik 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me pretendimet pronësore të palëve në procedurë lidhur me statusin e subjektit “Bankos”. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës pretendon se është themeluar si shoqëri aksionare dhe se transformimi është bërë në përputhje me Ligjin për Bankat dhe Organizatat e tjera Financiare(Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr.10/89, e datës 17 shkurtit 1989). Gjersa, AKP pretendonte se kjo ndërmarrje e ka statusin e ndërmarrjes shoqërore me kapital shoqëror dhe se transformimi i bërë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm, për shkak të paligjshmërisë së transferimit dhe diskriminimit gjatë procesit të transformimit. Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave pronësore dhe të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm duke pretenduar ne esencë pronësinë mbi subjektin “Bankos” dhe duke kontestuar statusin e subjektit “Bankos” me pretendimin se është  shoqëri aksionare dhe jo ndërmarrje shoqërore me kapital shoqëror ashtu siç kishte vlerësuar Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS.

Gjykata vëren se çështja e parashtruesit të kërkesës ishte shqyrtuar përmes gjashtë (6) vendimeve gjyqësore, duke u vendosur fillimisht lidhur me kërkesën për urdhër paraprak gjyqësore  nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS përmes Aktvendimit [C-III-12-2033] të 28 shkurt 2013, përmes të cilit refuzoj kërkesën e parashtruesit për lëshimin e urdhrit paraprak me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet nga nenin 55.1 i Shtojcës se Ligjit për Dhomën e Posaçme. Ky aktvendim ishte konfirmuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS përmes Aktvendimit [AC-I-13-0034] me arsyetimin se pronat e përmendura nga parashtruesi janë te regjistruar ne librat kadastrale si pronë shoqërore dhe se nuk ka pasur asnjë dëshmi se ka përfunduar transformimi i pronësisë tek parashtruesi. Në ndërkohe, pasi Bordi i AKP-së nxori vendimin  për likuidimin e Ndërmarrjes Shoqërore- Banka Themelore “Bankos”, parashtruesi i kërkesës me 21 nëntor 2014 paraqiti në DHPGJS  kërkesën për  caktimin e urdhrit paraprak gjyqësore përmes se cilës  AKP-se do të  i pamundësohej të vazhdoj procedurën e likuidimit te Ndërmarrjes Shoqërore- Banka Themelore “Bankos” dhe shkaktimin e dëmit të pariparueshëm. Kolegji i specializuar i DHPGJS përmes Aktvendimit [C-IV-14-7054] të 20 shkurtit 2015 duke u bazuar në nenin 55.1 të Shtojcës se Ligjit për DHPGJS refuzoj kërkesën për caktimin e urdhrit paraprak gjyqësore me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur argumente dhe prova të reja në mbështetje të kërkesës se tij. Pas ankimimit nga parashtruesi,  Aktvendimi [C-IV-14-7054] i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS të 20 shkurtit 2015, ishte anuluar përmes Aktvendimit [AC-I-15-0058] të Kolegjit të Apelit të 12 qershorit 2015, duke miratuar kërkesën për lëshimin e urdhrit paraprak gjyqësor, përmes te cilit AKP-së i ndalohej të shes pronën “Bankos” e cila gjendet në procedurën e likuidimit, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar mbi meritat e padisë.

Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata thekson se të njëjtat, janë trajtuar nga gjykatat e rregullta, respektivisht nga Kolegji i Specializuar dhe ai i Apelit të DHPGJS. Gjykata vlerëson se: (i) Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka kaluar fazat ligjore të transformimit nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare; (ii) Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka shpjeguar se në kohën kur parashtruesi i kërkesës pretendon se është transformuar në shoqëri aksionare është i paqëndrueshëm sepse atëbotë nuk ka ndodhur transformim i ligjshëm dhe jo-diskriminues i parashtruesit të kërkesës; (iii)   Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës me asnjë provë përkatëse nuk ka provuar transformimin nga ndërmarrja shoqërore në shoqëri aksionare; (iv)  Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së-në substancë-vlerësoi se parashtruesit të kërkesës i mungonte legjitimiteti procedural përkatësisht se nuk është transformuar në shoqëri aksionare.

Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) Banka e Kosovës “Bankos”  ka qenë ndërmarrje shoqërore para vitit 1990; (ii) transformimi i pretenduar i ndërmarrjes  nga ana e parashtruesit të kërkesës nga ndërmarrja shoqërore në shoqëri aksionar nuk është kryer në përputhje me dispozitat ligjore dhe si i tillë transformimi, as atëherë e as tani, nuk mund të prodhojë efekte juridike; (iii) Statuti bazë dhe i gjithë dokumentacioni i subjektit të Bankës së Kosovës paraqesin bazën ligjore për konkludimin se ky subjekt është në pronësi shoqërore (iv) parashtruesi i kërkesës kishte dështuar që me prova përkatëse të dëshmoj të gjitha fazat e procesit të transformimit te pronësisë dhe bazën juridike të privatizimit; si dhe në fund (v) prona e kësaj banke është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore.

Gjykata vëren se DHPGJS në rastin e parashtruesit të kërkesës kishte analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga palët në procedurë, dhe në fund parashtruesi i kërkesës kishte dështuar që të provoj para DHPGJS se i tërë procesi i privatizimit ishte kryer me sukses dhe në fund sipas konstatimeve të DHPGJS rezulton se prona e kësaj banke është e evidentuar në librat kadastral si pronë shoqërore.

Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur me prova pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, sepse argumentet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta ua ka mohuar atij të drejtat e garantuara me nenin 31 dhe 46 të Kushtetutës, siç pretendohet nga parashtruesi i kërkesës. Kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme gjithashtu duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa të deklarohet e papranueshme.

Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

“Kosovska Banka” DD Beograd

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Administrative