Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 85/22

23.05.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 85/22, të parashtruar nga Jadran Kostić, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj [2022:19820], të 17 majit 2022 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [Pn1 Nr. 704/2022], të 31 majit 2022.

Rrethanat e këtij rasti ndërlidhen me vazhdimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës para ngritjes së aktakuzës në procedurë penale. Në rrethanat e rastit konkret, masa fillestare e paraburgimit, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj në dhjetor të vitit 2021. Kjo masë ishte vendosur duke marrë parasysh që si rezultat i zhvillimit të hetimeve që ndërlidheshin me kryerjen e veprave penale gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, ndaj parashtruesit të kërkesës ekzistonte dyshimi i bazuar se kishte kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” të përcaktuar sipas Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës. Me kërkesë të Prokurorisë përkatëse, masa e paraburgimit në rastin e parashtruesit të kërkesës ishte vazhduar disa herë nga Gjykata Themelore. Parashtruesi i kërkesës në ankesën përkatëse para Gjykatës së Apelit, specifikisht kishte pretenduar që duke marrë parasysh që në rastin e tij ekzistonte dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe për të cilën parashihet dënimi me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet, bazuar në paragrafin 2 të nenit 190 (Afatet kohore të paraburgimit) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovë, paraburgimi i tij nuk mund të zgjasë më shumë se katër (4) muaj para ngritjes së aktakuzës dhe për pasojë vazhdimi i paraburgimit ndaj tij ishte në kundërshtim me ligjin dhe me të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë. Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Pn1 Nr. 704/2022] të 31 majit 2022, kishte konfirmuar vazhdimin e paraburgimit.

Këtë Aktvendim, parashtruesi i kërkesës e konteston para Gjykatës duke pretenduar që vazhdimi i paraburgimit të tij pas kalimit të periudhës (4) mujore siç është përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, cenon të drejtat e tij të garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me caktimin e paraburgimit në kuptim të nenit 29 të Kushtetutës dhe nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në aplikimin e këtyre parimeve në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se caktimi i paraburgimit ndaj tij, është i bazuar në nenin 29.1.2 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5.1 (c) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku përcaktohet se paraburgimi mund të caktohet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj. Megjithatë, në kuptim të kohëzgjatjes së paraburgimit në kontekst të veprës penale përkitazi me të cilën parashtruesi i kërkesës dyshohet dhe para ngritjes së aktakuzës, në kuptim të garancive kushtetuese, Gjykata vazhdoi me vlerësimin nëse mungesa e adresimit të pretendimit specifik të parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës së Apelit, e që ndërlidhet me ligjshmërinë e vazhdimit të masës së paraburgimit, mund të rezultonte në konkluzione arbitrare dhe rrjedhimisht cenim të të drejtave kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

Në këtë kontekst, pas vlerësimit dhe shqyrtimit të përmbajtjes së vendimit të kontestuar, Gjykata vlerësoi se, në lidhje me vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar qëndrimin e Gjykatës Themelore, por nuk kishte adresuar pretendimin specifik dhe thelbësor të parashtruesit të kërkesës të ngritur në ankesën e tij para kësaj gjykate, përkatësisht nuk kishte dhënë përgjigje nëse vazhdimi i paraburgimit të tij për më tepër se katër (4) muaj para ngritjes së aktakuzës, për një vepër penale të dënueshme deri në pesë (5) vjet, ishte në kundërshtim me nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale. Gjykata theksoi se mos adresimi i një pretendimi kaq thelbësor që ndërlidhet me të garancitë kushtetuese për liri dhe siguri të parashtruesit të kërkesës nga Gjykata e Apelit përgjatë vlerësimit të ligjshmërisë së vazhdimit të paraburgimit ndaj tij në procedurë para ngritjes së aktakuzës, nuk është në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës dhe parimet dhe standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se: (i) Aktgjykimi [Pn1 Nr. 704/2022] i 31 majit 2022 i Gjykatës së Apelit nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) refuzoi kërkesën e tij për masë të përkohshme. Në vijim, Gjykata duke marrë për bazë faktin se rasti i parashtruesit të kërkesës është duke u zhvilluar në procedurë penale, theksoi se efekti i këtij Aktgjykimi shtrihet vetëm sa i përket kohëzgjatjes së vazhdimit të paraburgimit ndaj tij në procedurë para ngritjes së aktakuzës dhe se si i tillë nuk është i vlefshëm dhe nuk prodhon efekte juridike ndaj vendimeve tjera që ndërlidhen me masën e paraburgimit të nxjerra pas ngritjes së aktakuzës. Për më tepër dhe me sqarimin që Gjykata nuk ka autorizime ligjore për caktimin e ndonjë lloji apo mënyre të kompensimit për rastet kur konstaton shkelje të dispozitave respektive kushtetuese, e njëjta megjithatë sqaroi që parashtruesi i kërkesës gëzon të drejtën që për periudhën e vazhdimit të paraburgimit ndaj të tij pas nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Themelore të 17 majit 2022 e deri në ngritjen e aktakuzës ndaj tij, të kërkojë dëmshpërblim nga autoritetet publike bazuar në dispozitat ligjore në fuqi. Ky Aktgjykim është plotësuar edhe me mendim konkurrues.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org