Gjykatën e vizituan studentët e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”

19.05.2023

Një grup studentësh të vitit të parë të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, me në krye profesorin e këtij universiteti, Prof. dr. Kadri Kryeziu, qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese.

Studentët u pritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Safet Hoxha.

Pasi që u shprehu mirëseardhjen, kryetarja Caka – Nimani i njoftoi juristët e ardhshëm me funksionin që ka Gjykata Kushtetuese në raport me pushtetet e tjera në vend dhe me rolin me rëndësi që ka luajtur ajo ndër vite në vendosjen dhe mbrojtjen e themeleve të rendit kushtetues. Në vazhdim ajo foli edhe për procesin e vendimmarrjes së Gjykatës dhe referimit të vazhdueshëm që në çdo vendim të saj i bëhet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kryetarja Caka – Nimani në fund i porositi studentët që të angazhohen sa më shumë në studimet e tyre universitare dhe në përvetësimin e njohurive profesionale, me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të strukturës ligjore të vendit përballë sfidave të së ardhmes.

Në prezantimin e tij para studentëve të UPZ-së, gjyqtari Safet Hoxha ndërkaq bëri një elaborim të shkurtër përkitazi me strukturën dhe përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, me procesin e parashtrimit të kërkesave dhe trajtimin e tyre deri në vendimmarrjen e gjyqtarëve.