Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 409/2020], të 28 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI14/22

Parashtruesit: Shpresa Gërvalla

Shkarko:

KI14/22, Parashtruese: Shpresa Gërvalla, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 409/2020], të 28 shtatorit 2021

KI14/22, Aktgjykim i 23 shkurtit 2023, publikuar më 7 prill 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, gjykatë e themeluar me ligj, tejkalim i kompetencës së përcaktuar me ligj 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e parashtrueses së kërkesës për lëndimin e pësuar në vendin e punës”  dhe për kompensim për dëm jo-material, e cila gjatë kohës sa kishte qenë e punësuar si arkëtare e divizionit të Korporatës Energjetike të Kosovës, më 18 nëntor 2011, gjatë orarit të punës, ishte rrëzuar në shkallët e objektit të Raiffeisen Bank në Fushë-Kosovë dhe kishte pësuar lëndime trupore.

Në një datë të pasaktësuar, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar padi kundër Raiffeisen Bank në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes të cilës kërkoi dëmshpërblim për lëndimin trupor. Gjykata Themelore aprovoi pjesërisht padinë e parashtrueses së kërkesës për lëndimin e pësuar në vendin e punës”  dhe për kompensim për dëmin jo-material, ndërsa refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u konfirmua nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, si rezultat i revizionit të parashtruar nga ana e Raiffeisen Bank në Gjykatën Supreme, kjo e fundit pranoi si të bazuar revizionin dhe ndryshoi aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës për shkak të (i) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, përkatësisht të neneve 173 (Prezumimi i kauzalitetit) dhe 174 (Kush përgjigjet për dëmin) në lidhje me paragrafin 1 të nenit 192 (Përgjegjësia e pjesëtuar) të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve (i shpallur më 30 mars 1978); (ii) vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike, duke arsyetuar se parashtruesja e kërkesës ishte duke kryer detyrat punës si arkëtare e Divizionit të KEK-ut; dhe se në rastin konkret (iii) nuk ishte vërtetuar përgjegjësia e Raiffeisen Bank në raport me lëndimet e marra nga parashtruesja e kërkesës.

Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës pretendoi se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit ] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi që: (i)  Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ngërthen gjykim të çështjes që ka të bëjë me konstatim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike për çka revizioni nuk është i lejuar; dhe se (ii) Gjykata Supreme në këtë rast, çështjen është dashur ta kthejë në rivendosje në gjykatën e shkallës më të ulët siç përcaktohet saktësisht në ligjin e aplikueshëm. Nga pretendimet e lartcekura të parashtrueses së kërkesës rezulton që, çështjet e ngritura në kërkesën e saj ndërlidhen me tejkalimin e kompetencës të përcaktuar me ligj të Gjykatës Supreme, të cilat pretendime në thelb ndërlidhen me kriterin e së drejtës për një “gjykatë të themeluar me ligj”, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe pastaj aplikoi në rastin konkret (i) parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me parimin e “gjykatës së themeluar me ligj”; dhe (ii) dispozitat përkatëse të Ligjit për Procedurën Kontestimore që ndërlidhen me juridiksionin dhe vendimmarrjen e Gjykatës Supreme gjatë procedurës së revizionit, sipas së cilave, ndër tjerash, një gjykatë nuk mund të vendos jashtë juridiksionit të saj të përcaktuar me ligj.

Në aplikimin e këtyre parimeve Gjykata fillimisht konstatoi se, Gjykata Supreme kishte juridiksion për të vendosur në lidhje me revizionin e palës së paditur. Megjithatë, në kuptim të paragrafit 2 të nenit 224 [pa titull] të Ligjit për Procedurën Kontestimore, dispozitë kjo që i referohet kompetencës së Gjykatës Supreme në kontekst të vendimmarrjes së saj, me ç’rast kur gjykata e revizionit konstaton se, për shkak të zbatimit të gabueshëm të së drejtës materiale apo për shkak të shkeljeve të rregullave procedurale, gjendja faktike nuk është vërtetuar plotësisht dhe se për këtë arsye nuk ekzistojnë kushtet për ndryshimin e aktgjykimit të goditur, Gjykata Supreme është dashur që çështjen ta kthejë në rigjykim në gjykatat e shkallës më të ulët.

Si rezultat i vendimit të Gjykatës Supreme për të prishur aktgjykimet e shkallës më të ulët dhe refuzimin e kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës pa e kthyer çështjen në rigjykim, e njëjta ka cenuar parimin e “gjykatës së themeluar me ligj”. Për më tepër, në kuptim të garancive të përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, garanci këto që ndërlidhen edhe me parimin e sigurisë juridike dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë, kthimi i çështjes në rivendosje do t’i mundësonte palëve ndërgjyqëse, e në veçanti parashtrueses së kërkesës, që në pajtim me parimin e kontradiktoritetit, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të paraqesin parashtresat dhe argumentet e tyre në lidhje me rastin.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [Rev.nr.409/2020] i 28 shtatorit 2021, nuk është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në kundërshtim me parimin e “gjykatës së themeluar me ligj”, pasi që Gjykata Supreme ka tejkaluar kompetencën e saj të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 224 të Ligjit për Procedurën Kontestimore duke e mos e kthyer rastin për rishqyrtim në gjykatat e shkallës më të ulët sipas përcaktimeve të ligjit të aplikueshëm. Ky Aktgjykim është plotësuar edhe me mendim mospajtues.

Parashtruesit:

Shpresa Gërvalla

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile