KI204/21, Parashtrues: Sabit Istrefi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Pzd. nr. 83/2021, të 4 gushtit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI204/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 marsit 2023, publikuar më 4 prill 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, jashtë afatit
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Shtetit ndaj parashtruesit të kërkesës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë nga paragrafi 1, pika 1.5 e nenit 179 [Vrasje e rëndë] dhe për Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 të Kodit Penal. Parashtruesi i kërkesës përmes Aktgjykimit [P. nr. 947/2013] të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 25 nëntorit 2014, ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale Vrasje nga neni 178 i Kodit Penal, dhe në bashkim real me veprën penale Mbajtja në posedim, kontroll apo përdorim të paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal, si dhe ishte shpallur jo fajtor për kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 179 (1) pika 1.5 e Kodit Penal dhe veprës penale Mosdhënia e ndihmës nga neni 191, paragrafi 2 i Kodit Penal. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 124/2015] vërtetoi Aktgjykimin [P. nr. 947/2013] e 25 nëntorit 2014, të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke refuzuar ankesat e paraqitura si të pabazuara. Në ndërkohë, parashtruesi paraqiti kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 200/2015] të 6 nëntorit 2015 e refuzoi si të pabazuar dhe konfirmoi vendimet e shkallës se parë dhe të dytë. Në vitin 2020 dhe 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur dy kërkesa pranë Panelit për Lirim me Kusht të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili kishte refuzuar kërkesat si të pabazuara me arsyetimin “se ende nuk është arritur risocializimi i duhur i personit dhe vet qëllimi i ekzekutimit të sanksionit penal i paraparë sipas dispozitës së nenit 38 të Kodit Penal të Kosovës”. Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë pranë Gjykatës Supreme për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Pzd. nr. 83/2021] refuzoi kërkesën e parashtruesit për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit me arsyetimin se rrethanat e paraqitura nuk janë të asaj natyre që arsyetojnë zbutjen e dënimit nën dritën e nenit 429 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale (në tekstin e mëtejmë: Kodi i Procedurës Penale).
Parashtruesi para Gjykatës konteston procedurën e parë (i) lidhur me shpalljen fajtor të tij për veprën penale, duke u ankuar se Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [PAKR. nr. 124/2015], të 1 shtatorit 2015, gabimisht i ishte referuar “vrasjes së rëndë” sipas nenit 179 të KPRK-së, pavarësisht faktit se ai ishte dënuar për “vrasje” nga neni 178 i KPRK-së; dhe procedurën e tretë (iii) lidhur me kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, duke pretenduar se Gjykata Supreme me Aktvendimin [Pzd. nr. 83/2021] të 4 gushtit 2021, gabimisht kishte rikualifikuar veprën penale nga “vrasje” sipas nenit 178 të KPRK-së, në “vrasje e rëndë” sipas nenit 179 të KPRK-së, pavarësisht që nuk ishte marrë me meritat e rastit.
Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me procedurën e konfirmimit të fajësisë, Gjykata konstaton se kjo pjesë e kërkesës së parashtruesit është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
Ndërsa sa i përket pretendimit/kërkesës së parashtruesit lidhur me përmirësimin e gabimeve në vendimin e Gjykatës së Apelit, Gjykata konstaton se duhet të refuzohet si pretendim i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Sabit Istrefi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale