Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, z. Frank Power, nënshkruan sot në një ceremoni të përbashkët marrëveshjen e grantit të Këshillit të Evropës për Gjykatën Kushtetuese.
Objekt i marrëveshjes për grantin është mbështetja dhe financimi i disa projekteve të destinuara për avancimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të përgjithshme të shërbimeve të teknologjisë informative në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes fondeve të siguruara nga Këshilli i Evropës, marrëveshja e arritur do të mundësojë blerjen e sistemeve të avancuara harduerike dhe softuerike që do të kontribuojnë në lehtësimin e procesit të menaxhimit të lëndëve, përmirësimin e sistemeve për menaxhimin e bazës së të dhënave dhe avancimin e funksionalitetit të ueb-faqes së Gjykatës Kushtetuese.
Marrëveshja e nënshkruar është pjesë e projektit të Këshillit të Evropës: “Mbështetja e Gjykatës Kushtetuese në zbatimin dhe përhapjen e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut”, që u iniciua në janar të vitit të kaluar.