Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 157/2020 të 3 shtatorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI124/22

Parashtruesit: Liridon Uruqi

Shkarko:

KI124/22, Parashtrues: Liridon Uruqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 157/2020 të 3 shtatorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës

 KI124/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 dhjetorit 2022, publikuar më 29 dhjetor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedure penale, kërkesë e papranueshme 

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 25 viteve, nga ana e Gjykatës Themelore në Gjilan për shkak të kryerjes së veprës penale “vrasje e rëndë”. Parashtruesi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën e tij dhe e kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore në rigjykim kishte shpallur prapë fajtor parashtruesin e kërkesës lidhur me veprën penale vrasje dhe mbajtje ne pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve, dhe i shqiptoi dënim unik me burgim prej 18 vite e 6 muaj. Prokuroria si dhe parashtruesi i kërkesës kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ku kjo e fundit refuzoi ankesat e tyre. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila kërkesë u refuzua.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës si dhe nenin 10 të DUDNJ-së. 

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e kontestonte Aktgjykimin [Pml. nr. 157/2020] e 3 shtatorit 2020 të Gjykatës Supreme. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar më 23 tetor 2020.

Parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 6 gusht 2022, për më shumë se 1 vit e gjysmë pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

Liridon Uruqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale