Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP.nr.124/2021 të 17 nëntorit 2021

Nr. të lëndës KI23/22

Parashtruesit: Musa Namani

Shkarko:

KI23/22, Parashtrues: Musa Namani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP.nr.124/2021 të 17 nëntorit 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për status të pensionistit me paaftësi të përhershme, kërkesë qartazi e pabazuar  

Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me kërkesën e tij që ti njihet e drejta në pension të paaftësisë së përhershme dhe refuzimit si të pabazuar të kërkesëpadisë nga Gjykata Themelore, refuzimit të ankesës nga Gjykata e Apelit dhe refuzimit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar (I) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, si dhe (II) pretendimet përkitazi me shkeljet e nenit 49 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së.

Pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës e ndërlidh me administrimin e fakteve të rastit dhe mënyrën se si Gjykatat e rregullta kanë interpretuar dhe zbatuar dispozitat e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti. Ndërsa për sa i përket shkeljeve të pretenduara të neneve 49 të Kushtetutës dhe 13 të KEDNJ-së, i njëjti vetëm i përmend si shkelje potenciale pa dhënë ndonjë elaborim.

Prandaj, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të fakteve, interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, Gjykata të njëjtat i  kualifikoi si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë”, dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”. Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Në vijim, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se kërkesa lidhur me këto pretendime është e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse të njëjtat cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Rrjedhimisht, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Musa Namani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër