Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 564/2020 të 27 majit 2021

Nr. të lëndës KI 187/21

Parashtruesit: Naim Gashi

Shkarko:

KI187/21, Parashtruesi i kërkesës: Naim Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit Rev.nr.564/2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës i datës 27 maj 2021

KI187/21, Aktvendim për papranueshmëri i datës 18 korrik 2022, i publikuar 17 gusht 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës ia ka shitur dy ngastra tokë blerësit I.V.K.,  duke lidhur kontratë mbi shitblerjen në të cilën e kanë cekur që çmimi i shitblerjes për një ari tokë ka qenë 500 euro. Blerësi ia ka paguar në tërësi parashtruesit të kërkesës çmimin e cekur të shitblerjes.

Parashtruesi i kërkesës ka ngritur kërkesëpadi në Gjykatën Komunale kundër blerësit I.V.K., me të cilën ka kërkuar anulimin e kontratës së shitblerjes, për shkak të “mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale”, duke cekur, se në të vërtetë, ai dhe blerësi I.V.K., ishin marrë vesh që çmimi i vërtetë për një ari tokë të jetë 800 euro, ndërsa në kontratën e shitblerjes e kishin cekur çmimin prej 500 eurosh, për arsye që blerësi të mos paguajë taksë më të madhe me rastin e lidhjes së kontratës.

Gjykata Themelore, e Apelit dhe ajo Supreme ia kanë refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke konkluduar se blerësi i ka përmbushur të gjitha detyrimet shitblerëse të cilat kanë qenë të përcaktuara në kontratë, prandaj në pajtim me këtë, nuk ekziston baza juridike për anulimin e kontratës.

Parashtruesi i kërkesës, i pakënaqur me vendimin e gjykatave të rregullta, i ka parashtruar Gjykatës kërkesë duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 7 [Vlerat], nenin 16 [Epërsia e Kushtetutës], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], dhe nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës.

Gjykata, duke i shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekstin e të gjitha vendimeve të gjykatave, dhe duke zbatuar si praktikën e vet gjyqësore ashtu edhe praktikën e GJEDNJ-së, ka gjetur se në kërkesën e vet ai kishte pretenduar shkelje të një numri më të madh nenesh të Kushtetutës, të cilat i kishte arsyetuar me një paragraf të vetëm, i cili në përmbajtje dhe në thelb mund të cilësohet vetëm si një pretendim i cili i shkon për shtati shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës, lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së.

Pikërisht duke i analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekst të shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës, lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata ka ardhur në përfundimin se parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar argumente relevante të cilat do t’i arsyetonin pohimet e tij që në çfarëdo mënyre kishte ardhur deri tek shkelja e të drejtave kushtetuese sipas nenit 31 të Kushtetutës, lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilave iu ishte referuar, përveç që është i pakënaqur me rezultatin e procedurës në të cilën ishin sjellë aktgjykimet e kontestuara. Në përputhje me këtë, gjykata i ka hedhur poshtë këto pretendime si (ii) pretendime të cilat kategorizohen si „mungesë e dukshme ose evidente e shkeljes“.

Sa i përket pretendimeve për shkeljet e neneve të tjera të Kushtetutës, të cilat parashtruesi i kërkesës nuk i ka sqaruar, Gjykata i ka hedhur poshtë si (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Me këtë, Gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruesit si qartazi të pabazuar në bazat kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (1) (d) dhe paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naim Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile