Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-18-0026, të 14 janarit 2021 

Nr. të lëndës KI 98/21

Parashtruesit: Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku

Shkarko:

KI98/21, Parashtrues: Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-18-0026, të 14 janarit 2021 

KI98/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 marsit 2022, publikuar më 29 mars 2022 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, barazia e armëve, administrimi i provave, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një kontest pronësor, ku përfshihet si palë Agjencia Kosovare e Privatizimit, si administratore e ndërmarrjes shoqërore KBI “Export-Import” në Fushë-Kosovë. Parashtruesit e kërkesës kundër kësaj të fundit kanë ushtruar padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DhPGjS), duke pretenduar pronësinë përkitazi me paluajtshmërinë, ngastrën kadastrale me numër nr. 1743, në sipërfaqe prej 2.88,09 hektarë, në vendin e quajtur “Veternik” në Prishtinë. Kolegji i Specializuar i DhPGjS-së, përkitazi me këtë çështje kishte mbajtur tri seanca dëgjimore dhe si përfundim kishte konstatuar se padia duhej hedhur poshtë si e palejuar, sepse parashtruesit e kërkesës nuk legjitimoheshin si palë aktive në këtë procedurë kontestimore. Vendimi i Kolegjit të Specializuar u kontestua në Kolegjin e Apelit të DhPGjS-së, dhe ky i fundit, me Aktvendimin AC-I-18-0026, të 14 janarit 2021, refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës me arsyetimin se të njëjtit, nuk kishin ofruar prova dhe dëshmi se paluajtshmëria në fjalë u takonte atyre.

Parashtruesit e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese ngritën disa pretendime për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë, e para përkitazi me gjykimin e drejtë, gjegjësisht i. shkeljen e parimit  të “barazisë së armëve” dhe ii. “ligjshmërinë e marrjes se provave”, dhe e dyta me shkeljen e “barazisë para ligjit”, e treta përkitazi me “mjetet efektive juridike”, e katërta përkitazi me “mbrojtjen gjyqësore të të drejtave”, si dhe shkeljen e të drejtave të garantuara me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), sa i përket pretendimit për shkeljen e parimit të barazisë së armëve, konstatoi se parashtruesit e kërkesës janë dëgjuar në mënyrë të rregullt dhe se atyre u është dhënë mundësia e ballafaqimit të dëshmive dhe provave gjatë zhvillimit të procedurës pranë Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së. Gjykata për më tepër konsideroi se përveç se ishte respektuar parimi i barazisë së armëve dhe i kontradiktoritetit procedural nga kjo instancë gjyqësore është respektuar po ashtu edhe parimi i palës së dëgjuar, pasi që Kolegji i Apelit i DhPGjS-së nuk kishte marrë vendim për çështjen, para se t’ua jepte palëve ndërgjyqëse mundësinë për t’i ballafaquar argumentet, provat dhe dëshmitë e tyre, kundruall njëra-tjetrës, që ato i konsideronin relevante dhe të favorshme për to. Gjykata, tutje do të analizojë dhe pretendimin e parashtruesve të kërkesës përkitazi me ligjshmërinë e marrjes së provave,  dhe para se të arrinte në një konkluzion, Gjykata  ua rikujton parashtruesve të kërkesës se është përtej juridiksionit të saj si Gjykatë Kushtetuese, të vlerësojë cilësinë e konkluzioneve të gjykatave të rregullta, lidhur me vlerësimin e provave, përveç nëse ato janë marrë në mënyrë haptazi arbitrare. Si rregull, Gjykata Kushtetuese, bazuar në juridiksionin e saj nuk ndërhyn as në mënyrën se si gjykatat e rregullta kanë pranuar provat si material dëshmues dhe as në diskrecionin e tyre përkitazi me vlerësimin e vlerës dëshmuese. Ajo çfarë është e rëndësishme në lidhje me çështjen e provave për t’u vlerësuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, është çështje nëse parashtruesit e kërkesës në mënyrë efektive kanë mundur t’i kundërshtojnë provat dhe dëshmitë kundër tyre, në këtë çështje kontestimore. Andaj, në dritën e shqyrtimeve dhe arsyetimeve të lartcekura, si dhe duke marrë parasysh parimet e përgjithshme përkitazi me ligjshmërinë e marrjes së provave, në këtë procedurë kontestimore, Gjykata konstatoi se në rastin konkret, Kolegji i Apelit i DhPGjS-së nuk ua kishte mohuar parashtruesve të kërkesës të drejtën për një gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së. Ndërsa sa i përket pretendimeve për shkeljen e barazisë para ligjit, mjetet efektive juridike dhe mbrojtjen gjyqësore të të drejtave, si dhe instrumentet ndërkombëtare, Gjykata konstatoi se këto pretendime bazuar në praktikën e GjEDNj-së dhe të Gjykatës, duhej deklaruar qartazi të pabazuara sepse në vlerësimin e Gjykatës nuk është e mjaftueshme që parashtruesit e kërkesës, vetëm t’i referohen neneve përkatëse pa shtjelluar tutje se si dhe përse janë shkelur ato nene specifike të garantuara me Kushtetutë dhe të instrumentet ndërkombëtare.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ta, dhe gjithashtu arsyetimet e Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, konsideroi se pretendimet e tyre për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, në lidhje me barazinë e armëve dhe ligjshmërinë e marrjes së provave i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (b) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, duhej shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, si dhe pretendimet për shkeljen e të drejtës për barazi para ligjit, mjete efektive juridike dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave, po ashtu i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë nën (a) (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, edhe këto pretendime si të tilla duhej shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile