Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 390/2018], të 4 dhjetorit 2019

Nr. të lëndës KI 123/20

Parashtruesit: S. K.

Shkarko:

KI123/20, Parashtrues S. K., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 390/2018], të 4 dhjetorit 2019

KI123/20, Aktvendim i 10 dhjetorit 2021, publikuar më 31 dhjetor 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë civile, kërkesë e papranueshme.

Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me obligimin e prindërve  dhe familjes së fëmijës së tyre D.K., për alimentacionin e fëmijës se mitur. Përmes Aktgjykimit  [Ac.nr.445/2009] të 28 majit 2010, ishte zgjidhur martesa me marrëveshje në mes të prindërve të fëmijës së mitur të D.K., respektivisht në mes të T.V., dhe F.K. Fëmija i mitur D.K., ishte vendosur që të jetë nën përkujdesen e nënës, përkatësisht T.V., ndërsa babai i fëmijës është detyruar që të paguaj shumën prej 100 euro në muaj në emër të alimentacionit. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [AC.NR.62/2010] të 7 shtatorit 2010 ndryshoi aktgjykimin e lartcekur dhe vendosi që babai i fëmijës se mitur F.K., të paguaj vetëm 60 euro në muaj. Ky detyrim nuk ishte respektuar nga ana e babait të fëmijës. Më vonë, Gjykata Themelore duke iu përgjigjur padisë së paraqitur nga T.V., përmes Aktgjykimit [C.nr.1920/10], ndryshoi Aktgjykimin [AC. Nr. 62/2010] të 7 shtatorit 2010, të Gjykatës Supreme dhe detyroi F.K, në cilësinë e prindit të fëmijës, të paguaj shumën prej 60 euro në muaj dhe në fund detyroi po ashtu  parashtruesin e kërkesës në cilësinë e gjyshit të fëmijës të paguajë shumën prej 40 euro në muaj në emër të ushqimit-alimentacionit për fëmijën e mitur. Gjykata e Apelit pas ankesës se parashtruesit të kërkesës përmes Aktgjykimit [Ac.nr.4454/17] vendosi që babai i fëmijës F.K., dhe parashtruesi i kërkesës në mënyrë solidare të paguajnë shumën prej 120 euro në muaj në emër të ushqimit-alimentacionit për fëmijën e mitur. Në fund, Gjykata Supreme pas ankesës së F.K., dhe parashtruesit të kërkesës S.K., përmes Aktgjykimit [Rev.nr.390/2018] të 4 dhjetorit 2019 konfirmoi detyrimin e parashtruesit të kërkesës për mbajtjen financiare të fëmijës D.K., duke u thirrur në nenin 278 të LFK-së. Sipas Gjykatës Supreme, i takon parashtruesit të kërkesës si gjysh i fëmijës të sigurojë mbajtje financiare për nipin e tij D.K., nëse sipas radhës së trashëgimisë, i biri i tij F.K., nuk arrin të përmbush obligimin e tij ligjor. Këto konstatime të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës duke pretenduar shkelje kushtetuese si rezultat i nxjerrjes së vendimeve lidhur me obligimin për mbajtjen e fëmijës pa  e vërtetuar gjendjen faktike lidhur me atësinë e fëmijës përmes analizës gjenetike të ADN-së.

Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk e ka plotësuar kriterin e pranueshmërisë së shterimit të mjeteve juridike të përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht pretendimi i tij lidhur me vërtetimin e atësisë duhet të shpallet i papranueshëm.

Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Përfundimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështet në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij, dhe rrjedhimisht e njëjta nuk i përmbush kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Në pajtueshmëri me arsyetimin e këtij aktvendimi, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, si pasojë e (i) moskonstatimit të drejtë të gjendjes faktike në përcaktimin e detyrimit financiar të parashtruesit të kërkesës për alimentacionin refuzohen si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese; ndërsa (ii) pretendimi për vërtetimin e atësisë ndaj fëmijës D. K., refuzohet si pretendim i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit formal dhe substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

S. K.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile