Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Qeverisë së Kosovës nr. 58/2021 të 29 shtatorit 2021 për kriteret dhe kushtet për marrjen e ndihmës – mbështetjes për familjet që kanë humbur një anëtar të familjes nga COVID-19.

Nr. të lëndës KI 186/21

Parashtruesit: Faik Miftari

Shkarko:

KI186/21 Parashtrues: Faik Miftari, vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Qeverisë së Kosovës nr. 58/2021 të 29 shtatorit 2021 për kriteret dhe kushtet për marrjen e ndihmës – mbështetjes për familjet që kanë humbur një anëtar të familjes nga COVID-19

KI186/21, Aktvendim për papranueshmëri i 10 dhjetorit 2021, publikuar më 29 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, palë e paautorizuar

Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Qeverisë së Kosovës lidhur me kushtet formale për marrjen e ndihmës – mbështetjes për familjet që kanë humbur një anëtar të familjes nga COVID-19. Lidhur me këtë, ai kërkon nga Gjykata që ta interpretojë Vendimin e Qeverisë konkretisht të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke pretenduar se (i) vendimi i kontestuar diskriminon qytetarët e Republikës së Kosovës, duke i ndarë në qytetarë të vaksinuar dhe të pavaksinuar; dhe (ii) mund të jem personalisht viktimë e një shkeljeje kushtetuese, duke pasur parasysh rrezikun real dhe të sëmurem e madje të vdes nga pasojat e virusit COVID-19, ndërkohë që anëtarët e familjes sime nuk janë në gjendje të marrin kompensim nga pakoja mbështetëse vetëm sepse nuk jam vaksinuar.

Në këtë drejtim, Gjykata theksoi, se përkitazi me pretendimin (i) në lidhje me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, sipas dispozitave përkatëse të Kushtetutës (neni 113.7) dhe Ligjit (nenet 47 dhe 49), mënyra e vetme me të cilën personat fizikë ose juridikë mund ta kontestojnë kushtetutshmërinë e një ligji para Gjykatës Kushtetuese nëse kanë dëshmuar se kërkesa e tyre nuk është e natyrës “actio popularis” – por se ata janë të prekur drejtpërdrejt nga “ligji”, në mungesë të ndonjë akti, vendimi ose mase që zbaton atë ligj. Në rrethanat e rastit në fjalë, nuk ishte kështu. Gjykata thekson se ajo nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve dhe dyshimeve lidhur me zbatimin e vendimit të kontestuar, të cilat parashtruesi i kërkesës e ka paraqitur në mënyrë abstrakte në kërkesën e tij.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës (ii) se me zbatimin e vendimit të kontestuar ai personalisht mund të jetë viktimë e shkeljes së Kushtetutës, Gjykata theksoi se nuk janë shteruar mjetet juridike, përkatësisht parashtruesi i kërkesës nuk ka iniciuar ankesë administrative në kuptim të zgjidhjes së pretendimeve të tij para gjykatave të rregullta, siç përcaktohet me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht kjo pjesë e kërkesës është e papranueshme për shkak të mosshterimit.

Rrjedhimisht, Gjykata konsideron, në baza kushtetuese, se kërkesa është e papranueshme për shkak se parashtruesi i kërkesës (i) nuk është palë e autorizuar që mund të iniciojë vlerësim kushtetues in abstracto në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit, dhe (ii) nuk janë shteruar mjetet juridike, dhe si e tillë, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme në tërësi si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Faik Miftari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar, Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër