KI179/21, Parashtrues: Besnik. R. Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PN.S.nr. 43/21, të 16 gushtit 2021
KI179/21, Aktvendim i 9 dhjetorit 2021, publikuar më 22 dhjetor 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qasje në Gjykatë, afatshmëria e ankesës
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me cilësinë e parashtruesit të kërkesës si mbrojtës (avokat) në një rast për të cilin përmes parashtresës përkatëse, ishte shprehur me shkrim lidhur me punën e Prokurorisë Speciale. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës ishte gjobitur nga Gjykata Themelore lidhur me parashtresën me shkrim për paraqitjet me përmbajtje ofenduese. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, lënda e tij ishte kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore, dhe kjo e fundit ishte përgjigjur në çështjet konkrete të kërkuara nga Gjykata e Apelit, duke vendosur përsëri që të dënojë parashtruesin e kërkesës me gjobë prej 200 Euro. Parashtruesi i kërkesës ankohet në Gjykatën e Apelit, e cila ankesën e konsideron të paafatshme, sepse është dorëzuar pas afatit. Rrjedhimisht, pretendimet e parashtruesit të kërkesës, pranë Gjykatës Kushtetuese, ndërlidhen me vetë datën e paraqitjes së ankesës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë, të drejtës për mjete juridike dhe të drejtës për mbrojtje gjyqësore të të drejtave, duke argumentuar se ai pretendon se Gjykata e Apelit, ka dështuar që të shqyrtojë me vëmendje afatshmërinë e ankesës së ushtruar, sipas pretendimit, më 2 gusht 2021, kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, dhe e njëjta ka dështuar që të konfirmojë datën e saktë të dorëzimit të dërgesës postare, madje nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të vetëm procedural në këtë drejtim. Së dyti, parashtruesi i kërkesës pretendon se mostrajtimi i mjetit juridik të ankesës nga Gjykata e Apelit, ka rezultuar në privimin nga e drejta për t’u dëgjuar, nga e drejta për qasje në Gjykatë, si dhe për të pasur një vendim gjyqësor të arsyetuar.
Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata kërkoi nga Gjykata e Apelit dosjen e lëndës lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës. Në zarfin përkatës, me numër dërgese R1759333 (dërgesa që ka përfshirë ankesën e parashtruesit), dhe vulën e saj, shihej që kërkesa është dorëzuar më 3 gusht 2021.
Gjykata rrjedhimisht analizoi dhe sqaroi se Gjykata e Apelit, kishte mbështetur argumentet e saj në provën përkatëse, konkretisht vulën e pranimit të dërgesës nëpërmjet postës me rekomande e cila rezulton të jetë 3 gushti 2021. Duke marrë parasysh që sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, Aktvendimi i Gjykatës Themelore iu ishte dorëzuar parashtruesit të kërkesës me 29 korrik 2021, ndërsa afati fillon të rrjedhë nga 30 korriku 2021, për ushtrimin e mjetit juridik në afat prej 3 ditësh, parashtruesi ka dështuar ta dorëzojë atë në kohë sepse afati i fundit për paraqitjen e ankesës është 2 gushti 2021, ndërsa vula e pranimit tregon që parashtruesi e ka dorëzuar atë më 3 gusht 2021. Kjo marrë parasysh edhe faktin që kur dita e fundit e afatit bie të shtunën, ose të dielën, afati kalon në fund të ditës pasuese.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu marrë parasysh sqarimet e Gjykatës së Apelit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës reflektojnë “mungesë të dukshme ose të qartë të shkeljes” dhe si rezultat, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.
Besnik. R. Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale