Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.92/2018 i 18 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 190/20

Parashtruesit: Ryve Muqolli

Shkarko:

KI190/20, Parashtrues: Ryve Muqolli dhe të tjerët, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev.nr.92/2018 i 18 dhjetorit 2018

KI190/20, Aktvendim për papranueshmëri i 21 tetorit 2021, publikuar më 12 nëntor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për një vendim të arsyetuar, kërkesë e papranueshme 

Nga shkresat e lëndës rezulton se XH.B., paraardhësi i parashtruesve të kërkesës më 4 korrik 2006 kishte kërkuar që të vërtetohet se ai është pronar i pjesës së ngastrës kadastrale nr. 2296 të cilën e shfrytëzon i padituri-kundër paditësi B.G. Pas vdekjes së XH.B., procedura është vazhduar nga parashtruesit e kërkesës duke kërkuar që të vërtetohet se ata janë bashkëpronar të pjesëve të barabarta të ngastrës kadastrale 2296 të regjistruar në librat publik nr. 726 ZK Pejë me sipërfaqe prej 38 m2. I padituri-kundër paditësi B.G., kishte paraqitur kundërpadi për të njëjtën çështje juridike duke kërkuar që të vërtetohet se ai është bërë pronar i pjesës së ngastrës kadastrale 2296 në bazë të mbajtjes në mirëbesim për më shumë se 20 vite, qysh nga viti 1984 dhe në bazë të gjendjes së atëhershme në terren dhe në bazë të mezhdës të përcaktuar shumë më herët nga pronarët e mëparshëm G dhe K.A. Gjykata Themelore në Pejë me Aktgjykim 515/06 vendosi që ta refuzojë në tërësi kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës (paditës-kundër të paditur) me të cilën kanë kërkuar që të vërtetohet se janë bashkëpronarë në pjesë të barabarta të pjesës lindore të ngastrës kadastrale nr.2296 e regjistruar në Certifikatën mbi të Drejtat e Pronës së Paluajtshme  nr.724 ZK-Pejë me sipërfaqe 38 m2. Gjykata e Apelit me Aktgjykim Ac.nr.2157/13 vendosi që të refuzohet ankesa e parashtruesve të kërkesës dhe të vërtetohet Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë C.n.515/2006, i 21 majit 2013. Gjykata Supreme me Aktgjykim [Rev.nr.92/2018]  e refuzoi të pabazuar revizionin e parashtruesve të kërkesës të paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Ac.nr.2157/13 të 29 janarit 2018. Gjykata Supreme kishte konstatuar: (i) gjykatat e instancës më të ulët kanë zbatuar drejtë dispozitat e LPK-së dhe të drejtën materiale kur kanë konstatuar se kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës është e pabazuar ndërsa kërkesa-kundërpadia e  B.G., e bazuar; (ii) sipas deklaratave të dëshmitarëve rezulton se B.G., në vitin 1984 ka blerë ngastrën kadastrale 2293/2 ndërsa kontrata shitblerëse e datës 5.10.1988 është vërtetuar në gjykatë nën shenjën V.nr.144/89 më 30.05.1989; (iii) i padituri-kundër paditësi B.G., është mbajtës në mirëbesim i paluajtshmërisë kontestuese për më shumë se 20 vite, duke marrë parasysh faktin që ai ka hyrë në posedim të ngastrës kadastrale 2293/2 qysh nga viti 1984, përfshirë edhe pjesën kontestuese të ngastrës kadastrale 2296, duke e konsideruar si pjesë të ngastrës së blerë; (iv) që nga viti 1984 deri në ditën e parashtrimit të padisë nga tani i ndjeri XH.B., (paraardhësi i parashtruesve të kërkesës) më 22.07.2006 kanë kaluar më shumë se 20 vite të shfrytëzimit të papenguar të pjesës kontestuese të paluajtshmërisë nga i padituri-kundër paditësi B.G.; dhe, se (v) janë plotësuar kushtet e parashikuara me  nenin 28.4 të LTHMPJ-së për fitimin e pronësisë ndaj pronës së kontestuar.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës pretenduan se gjykatat e rregullta kanë shkelur garancitë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së sepse: (i) në njërën anë, aktgjykimin e ka bazuar mbi deklaratën e një dëshmitare e cila qartazi ka deklaruar se nuk ka dijeni apo kujtesë për ndërtimet që janë bërë në pronën e kontestuar; kurse, (ii) pa asnjë arsyetim nuk i kanë shqyrtuar dhe vlerësuar deklaratat e dëshmitarëve të propozuar nga parashtruesit e kërkesës, në anën tjetër.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar, Gjykata ritheksoi se neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së obligojnë gjykatat që të arsyetojnë vendimet e tyre, mirëpo kjo nuk mund të kuptohet sikur kërkohet përgjigje e detajuar ndaj secilit argument. Gjykata vlerësoi se mos dhënia e përgjigjes nga Gjykata Supreme lidhur me deklaratat e dëshmitarëve S.B., N.B., dhe A.D., nuk është çështje përcaktuese në rezultatin përfundimtar të këtij rasti, sepse gjykatat e rregullta përfshirë edhe Gjykatën Supreme kanë bazuar vendimet e tyre në një mori provash siç janë kontratat e shitblerjes, kopje të planit të fletës poseduese, ekspertizën e ekspertëve gjeodetë SH.K., dhe D.K., deklaratat e parashtruesve e kërkesës dhe të paditurit-kundër paditësit B.G., përfshirë dhe deklaratat e dëshmitarëve S.B., N.B.,  dhe A.D., me ç ‘rast kanë konstatuar se pala kundërshtare B.G., për më shumë se 20 vite ka mbajtur në mirëbesim dhe në mënyrë të pandërprerë paluajtshmërinë e kontestuar.

Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ryve Muqolli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile