Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr.319/2019, të 10 dhjetorit 2019

Nr. të lëndës KI 59/20

Parashtruesit: Ramadan Sopaj

Shkarko:

KI59/20, Parashtrues: Ramadan Sopaj, vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr.319/2019, të 10 dhjetorit 2019

KI59/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 3 shkurtit  2021, publikuar më 31 mars 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë për masë të përkohshme, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës në Gjykaten Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml.nr.319/2019] të Gjykatës Supreme të 10 dhjetorit 2019,  duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata, pasi analizoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në lidhje me nenin 31 të Kushtetues, konsideroi se parashtruesi i kërkesë nuk ka arritur të dëshmojë se me vendimin e kontestuar i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Edhe në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi që tregon se sipas cilës karakteristikë të identifikueshme, ose status, ai ishte diskriminuar në procedurat para gjykatave të rregullta. Në këtë drejtim, Gjykata konsideroi se nuk është e mjaftueshme që parashtruesit e kërkesave t’i referohen në përgjithësi një trajtimi të pabarabartë për të vërtetuar diskriminimin, pa treguar bazën e kësaj pabarazie.

Si përfundim, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNj-së, si dhe të drejtën për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, gjatë procedurës me të cilën ai është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale, nga neni 232, paragrafi 3, pika 10, në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së. Rrjedhimisht, Gjykata refuzoi edhe kërkesën e parashtruesit të kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme, sepse e njëjta nuk mund të ishte më objekt i shqyrtimit, përderisa kërkesa u deklarua e papranueshme, në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Ramadan Sopaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale