Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 117/2020, të 24 prillit 2020

Nr. të lëndës KI 73/20

Parashtruesit: Esat Bajrami

Shkarko:

Rasti nr. KI73/20, Parashtrues: Esat Bajrami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 117/2020, të 24 prillit 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për liri dhe siguri, vazhdim i paraburgimit në pritje të gjykimit, mos arsyetim i vendimeve,  kërkesë qartazi e pabazuar   

Parashtruesit të kërkesës,  i ishte ngritur Aktakuza [PP/I.nr.99/2017] e 26 qershorit 2018,  nga Prokuroria Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, dhe atë: 1) veprën penale të vrasjes nga neni 178 [Vrasja] dhe 2) veprën penale mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga paragrafi 1 i nenit 374 [Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve] të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-082 (në tekstin e mëtejmë: KPRK).

Në kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës shprehimisht konteston vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me vazhdimin e paraburgimit ndaj tij, përkatësisht Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë [PKR. nr. 51/19], të 30 marsit 2020, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN1. nr. 392/2020], të 6 prillit 2020 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [Pml. nr. 117/2020], të 24 prillit 2020. I njëjti pretendon se vendimet e kontestuara kanë shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 29 [E Drejta për Liri dhe Siguri] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 5 [E drejta për liri dhe siguri] dhe 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.

Në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore në Gjakovë duke iu referuar nenit 187 të KPPK-së konstatoi se përveç që ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale, po ashtu konstatoi se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit për arsyet si në vijim: 1) provat që janë shqyrtuar gjatë shqyrtimeve gjyqësore të kaluara siç janë deklaratat e dëshmitarëve, ekspertëve dhe provave tjera materiale; 2) marrë për bazë peshën e rëndë të veprave penale për të cilat akuzohet; 3) arsye reale për të besuar që qëndrimin në liri mund ta shfrytëzojë për tu fshehur apo për tu arratisur me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale; 4) rreziku se të qëndruarit e tij në arrati, do të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarët të cilët janë propozuar që të dëgjohen gjatë shqyrtimit gjyqësor; 5) vlerësimi se masat tjera alternative janë të pamjaftueshme në këtë fazë të procedurës duke marrë parasysh elaborimet e lartcekura.  Këtë arsyetim të Gjykatës Themelore e kanë vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, si dhe Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar.

Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se vendimet e gjykatave të rregullta ishin të arsyetuara dhe të drejta kur kishin vendosur për çështjen e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, prandaj, nuk mund të thuhet se nuk kanë qenë të arsyetuara në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të Konventës apo që, shikuar në tërësinë e tyre, kanë qenë në ndonjë mënyrë arbitrare (shih, mutatis mutandis, Aktgjykim i GJEDNJ-se i 14 qershorit 2016 Merabishvili kundër Gjeorgjisë, nr. 72508/13, paragrafi 87).

Sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës lidhur me kohëzgjatjen e masës së paraburgimit në pritje të dënimit të tij, Gjykata konstaton se nuk bien në kuadër të fushëveprimit të nenit 31 të Kushtetutës.

Përfundimisht, Gjykata konsideron se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Esat Bajrami

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale