KI78/20; KI79/2 dhe KI80/20. Parashtrues: Hilmi Aliu dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimeve ose akteve të paspecifikuara të autoriteteve publike
KI78/20; KI79/2 dhe KI80/20, Vendim për refuzim të kërkesës i 11 nëntorit 2020, publikuar më 23 nëntor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e paplotësuar, vendim për refuzim
Parashtruesi i kërkesës nuk kishte kontestuar asnjë akt konkret të ndonjë autoriteti publik dhe nuk kishte qartësuar saktësisht dhe në mënyrë të qartë/kuptueshme se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë pretendonte se i ishin cenuar nëpërmjet ndonjë akti të një autoriteti publik. Ai i ishte drejtuar Gjykatës me disa dokumente/pohime të cilat nuk shpjegonin dhe nuk specifikonin pretendimet e tij për shkelje kushtetuese.
Marrë parasysh faktin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk ishte e kompletuar, Gjykata dy herë radhazi i kërkoi parashtruesit të kërkesës që: (i) të plotësojë formularin zyrtar të kërkesës; (ii) të specifikojë aktet e autoriteteve publike të cilat i konteston; (iii) të qartësojë saktësisht pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë; (iv) të dorëzojë kopjet e dokumenteve dhe informatave të tjera që mbështesin pretendimet e tij; dhe (v) të sqarojë se në çfarë kapaciteti e ka dorëzuar kërkesën KI79/20 dhe KI80/20. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi disa dokumente shtesë të cilat nuk adresuan kërkesat e shkresave të Gjykatës.
Për pasojë, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 48 dhe 22.4 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 32 (2) (h) dhe 35 (5) të Rregullores së punës së Gjykatës, dhe vendosi që kërkesa të refuzohet me procedurë të shkurtër.
Hilmi Aliu dhe të tjerët
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Administrative