Safet Hoxha

Gjyqtar

Safet Hoxha u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 9 gusht 2018.

Që nga viti 2010 e deri në emërimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, gjyqtari Hoxha ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2004 – 2010, ka punuar në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Ligjshmërisë në kuadër të Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik të Kosovës, ndërkaq ndërmjet viteve 2003 dhe 2004, ai ishte i angazhuar si mësimdhënës i lëndës “E drejta kushtetuese” në Shkollën e Mesme “Skënder Luarasi” në Therandë.

Studimet universitare, gjyqtari Hoxha, i ka përfunduar në vitin 2003 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe i kreu studimet pasuniversitare në drejtimin administrativ-kushtetues në vitin 2008.

Gjyqtari Hoxha, që nga viti 2010, është i angazhuar si ligjërues i lëndëve “E drejta kushtetuese” dhe “E drejta administrative” në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Për një kohë, ai ishte i angazhuar edhe në Kolegjin “AAB”, ku ka ligjëruar lëndën “E drejta në IT”, si dhe në Kolegjin “Iliria” në Prishtinë, ku ka ligjëruar lëndën “Financat Publike”.

Është autor i një sërë publikimesh shkencore të botuara në disa revista ndërkombëtare me renome dhe është autor i dy librave: “Bazat e Prokurimit Publik” dhe “Në Rebusin e Prokurimit Publik”.

Gjyqtari Hoxha është i martuar dhe ka gjashtë fëmijë.