Remzije Istrefi-Peci u lind më 28 gusht 1972, në fshatin Bajgorë, Komuna e Mitrovicës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Mitrovicë, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Ndërmjet viteve 2000-2002, ajo ka vijuar Programin Master mbi të Drejtën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Notre Dame në SHBA, ku edhe ka magjistruar në temën: “Imunitetet dhe Privilegjet e Organizatave Ndërkombëtare”.
Nga viti 2005 e deri në vitin 2009, ajo ka punuar temën e doktoratës: “Përgjegjësia e Organizatave Ndërkombëtare për shkeljen e të Drejtave të Njeriut-Rasti i Kosovës”, nën mbikëqyrjen e Prof. dr. Blerim Reka dhe të Prof. dr. Wolfgang Benedek, ku ka hulumtuar performancën e organizatave ndërkombëtare në situatat e pas-konfliktit, si dhe përgjegjësitë e tyre gjatë ushtrimit të autoriteteve publike.
Në vitin 2008, gjyqtarja Istrefi-Peci ka qëndruar si “Fulbright Scholar” në Universitetin Duke, të Karolinës Veriore në SHBA, ku ka ligjëruar dhe ka bërë hulumtime në fushën e të drejtave të njeriut. Në periudhën ndërmjet viteve 2010 dhe 2013, gjyqtarja Remzije Istrefi-Peci ka qenë pjesë e ekipit hulumtues me programin “Regional Research Program”, Universiteti i Fribourgut, Zvicër, në temën: “Roli i shoqërisë civile në Kosovë pas vitit 1999”.
Nga viti 2014, gjyqtarja Istrefi-Peci ka zhvilluar hulumtime në fushën e drejtësisë transicionale (studimet e pasdoktoratës) në Institutin e të Drejtës Ndërkombëtare të Universitetit “Karl Frances Universitat”, në Graz, Austri. Ndërkaq, në shkurt të vitit 2018, gjyqtarja Istrefi-Peci themeloi “Qendrën për Drejtësi Tranzicionale” në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
Që nga viti 2002, gjyqtarja Remzije Istrefi-Peci ishte ligjëruese në Departamentin e Shkencave Politike, ndërsa nga viti 2008 ajo punon profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Gjyqtarja Istrefi-Peci ka publikuar disa artikuj në revista të njohura shkencore dhe ka kontribuar edhe në disa libra që janë botuar në Kosovë dhe jashtë vendit. Publikimet e saj janë të ranguara në platformat: SCOPUS, Web of Science, World Cat, Ebsco, etj.
Para dekretimit të saj, gjyqtarja Istrefi-Peci ka punuar edhe këshilltare dhe trajnere për të drejtat e njeriut në disa organizata vendore dhe ndërkombëtare, si: OSBE, KE, UNDP, ECMI, IJK, IKAP, OAK, si dhe ka qenë anëtare e Komisionit Shtetëror për Provimin e Jurisprudencës. Ndërmjet viteve 2015 – 2018, gjyqtarja Istrefi-Peci ka qenë koordinatore nacionale e programit Erasmus+ për Kosovën. E nga viti 2013, ajo është e angazhuar edhe si Arbitër në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Gjyqtarja Remzije Istrefi-Peci është e martuar dhe ka dy vajza.
Ajo është emëruar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 9 gusht 2018.