Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, e shoqëruar nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, z. Almiro Rodrigues dhe znj. Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës, z. Milot Vokshi, qëndroi për vizitë zyrtare në Zagreb, të enjten, më 8 mars 2018.
Në kuadër të vizitës së realizuar me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kroacisë, kryetarja Rama-Hajrizi dhe delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës zhvilluan takime të ndara me homologët e tyre kroatë.
Gjatë bashkëbisedimit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, z. Miroslav Sheparoviq, kryetarja Rama-Hajrizi vuri theksin në progresin dhe të arriturat që janë shënuar deri më tash në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës, si dhe në respektimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrje.
Kryetarja Rama-Hajrizi më tutje nënvizoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e përkrahjes së Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë në përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për anëtarësim në organizatat dhe në forumet e ndryshme ndërkombëtare të gjykatave kushtetuese.
Të dy kryetarët në vazhdim shkëmbyen pikëpamjet e tyre përkitazi me sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen gjykatat kushtetuese të të dyja vendeve, si dhe për nevojën e forcimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor, në funksion të sundimit më efikas të ligjit.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, kryetarja Arta Rama-Hajrizi dhe delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u pritën në takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kroacisë, z. Goran Jandrokoviq.