Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Gerrie Willems, të martën, më 27 tetor 2015.
Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi ambasadoren Willems me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, me sfidat aktuale në funksionimin e saj, si dhe me zbatimin e praktikës ligjore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë shqyrtimit të kërkesave.
Kryetarja Rama-Hajrizi vuri theksin edhe në marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe gjykatave kushtetuese të shteteve të tjera, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave reciproke për zhvillimin e gjyqësisë kushtetuese në vend.
Ajo e falënderoi ambasadoren Willems për përkrahjen që Mbretëria e Holandës i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese dhe vendit tonë në fushën e sundimit të së drejtës, si dhe për anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.
Ambasadorja Willems shprehu gatishmërinë e vendit të saj që të mbështesë edhe më tutje Gjykatën Kushtetuese dhe Kosovën, në avancimin e standardeve demokratike për zbatimin e drejtësisë përmes konsolidimit të kornizës ligjore dhe kushtetuese.