Njoftim për medie

26.10.2015

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ambasadorin e Italisë në vendin tonë, z. Andreas Ferrarese, të hënën, më 26 tetor 2015.

Kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht e njoftoi ambasadorin Ferrarese me çështjet e organizimit dhe të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, duke vënë theksin në kujdesin e treguar nga ky institucion për ruajtjen e pavarësisë nëpërmjet respektimit rigoroz të dispozitave kushtetuese në vendimmarrje.

Ajo e vlerësoi si primare rëndësinë e komunikimit me gjykatat homologe të vendeve me gjyqësi kushtetuese shumëvjeçare, në funksion të progresit të mëtejshëm dhe të reformave gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe për shkëmbimin e mëtejshëm të përvojave mbi mënyrën e funksionimit të sistemeve gjyqësore në të dy vendet, duke pasur në fokus rolin e gjykatave kushtetuese si organ qendror për interpretimin e Kushtetutës.

Ambasadori Ferrarese i vlerësoi si të rëndësishme të arriturat e Gjykatës Kushtetuese dhe shprehu përkushtimin e Italisë që të thellojë bashkëpunimin me të gjitha institucionet e Kosovës në fushat me interes të ndërsjellë.