Me ftesë të Këshillit të Evropës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, ka udhëtuar për një vizitë pune në Zagreb, të mërkurën, më 11 mars 2015.
Kryetari Hasani është ftuar për të marrë pjesë në Konferencën rajonale me temë: “Përdorimi efektiv i mjeteve vendase në procedurat ligjore të brendshme dhe roli subsidiar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, e cila do të mbahet më 12 dhe 13 mars 2015, në kryeqytetin kroat.
Konferenca organizohet nga Drejtoria e përgjithshme për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit e Këshillit të Evropës, në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të Këshillit të Evropës, të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, akademikë, gjyqtarë, avokatë dhe hulumtues shkencorë nga të gjitha vendet e rajonit.