Njoftim për medie

14.05.2014

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, priti në takim një delegacion nga Republika e Çekisë, i prirë nga Kryeprokurori i këtij vendi, z. Pavel Zeman, të mërkurën, më 14 maj 2014.

Kryetari Hasani fillimisht bëri një prezantim të përbërjes dhe të mënyrës së funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, duke evidencuar në vazhdim sfidat me të cilat është përballur deri më tani ky institucion. Ai i njoftoi mysafirët nga Çekia edhe për raportet e ndërsjella me institucionet e tjera homologe në rajon dhe më gjerë, duke falënderuar njëherësh Republikën e Çekisë për kontributin e dhënë Gjykatës Kushtetuese dhe në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Kryeprokurori Zeman çmoi lart profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe vuri theksin në pavarësinë e domosdoshme të gjyqësorit, si parakusht për një shtet ligjor efikas. Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet gjykatave dhe prokurorive të të dyja vendeve.

Në takim mori pjesë edhe ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, z. Jiri Dolezel.