Njoftim për medie

10.05.2014

Të hënën, më 12 maj 2014, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës do të shënohet solemnisht fillimi i projektit me të cilin është bërë i mundur trajnimi i këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg.

Në këtë solemnitet, që fillon në orën 13:30, me fjalë rasti mysafirëve të pranishëm do t’u drejtohen Prof. dr. Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, znj. Krystyna Marty Lang, ambasadore e Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, si mbështetësi kryesor financiar i këtij projekti, si dhe z. Tim Cartwright, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, që ndërmjetësoi realizimin e trajnimit në Strasburg.

Me fjalë përshëndetëse nga Strasburgu, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’u drejtohen edhe dy këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët tashmë kanë filluar trajnimin e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Trajnimi i këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese në Gjykatën e Strasburgut, ka për qëllim përvetësimin sa më të mirë të praktikave të gjyqësisë evropiane dhe zbatimin e tyre në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës.