Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë dhënë betimin

10.07.2009

Në prani të Presidentit Fatmir Sejdiu, udhëheqësve kosovar dhe zyrtarëve të lartë ndërkombëtar, gjyqtarët e parë të emëruar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhanë betimin e tyre për t’i shërbyer dhe mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Kjo ngjarje historike është mbajtur me 26 qershor 2009 në zyrën e Presidentit të Kosovës ku morën pjesë edhe Kryeministri Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Pieter Feith, PCN/Përfaqësues i Special i BE-së në Kosovë dhe shumë mysafir tjerë të shquar kosovar e ndërkombëtar. 

Nëntë gjyqtarët përfaqësojnë shoqërinë shumetnike të Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe përfshijnë, nga Kosova: z. Enver Hasani, znj. Iliriana Islami, znj. Gjyljeta Mushkolaj, z. Kadri Kryeziu, z. Ivan Cukalloviq dhe z. Altay Suroy. Gjyqtarët ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese janë të përfaqësuar nga z. Roberto Carolan (SHBA), znj. Snezhana Botusharova-Doicheva (Bullgari), dhe z. Almiro Simoes Rodrigues (Portugali).

Presidenti Sejdiu ka theksuar, “Gjykata Kushtetuese është institucion unik për Kosovën dhe qytetarët e saj. Me themelimin e Gjykatës Kushtetuese kemi vendosur gurthemelin  e zhvillimit demokratik në Kosovë.”

Në takimin e parë të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani është zgjedhur nga kolegët e tij për të shërbyer si Kryetar i Gjykatës. Në fjalën e tij Hasani theksoi “Është nder për të shërbyer me kolegë kaq të dalluar. Kushtetuta është mburojë e cila mbron të gjithë qytetarët e Kosovës. Duke shërbyer dhe mbrojtur Kushtetutën e Kosovës na është dhënë mundësia për të siguruar se Kosova udhëhiqet nga rregullat e jo nga njerëzit.”

Gjykata Kushtetuese do të fillojë me shqyrtimin e rasteve gjatë muajve të ardhshëm. Deri më tani njëzet e pesë raste janë parashtruar nga ana e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për të shqyrtuar nga Gjykata.