Nëse keni vendosur që të parashtroni kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ju duhet të plotësoni Formularin e Kërkesës, që mund ta shkarkoni nga ueb-faqja e Gjykatës ose ta kërkoni drejtpërdrejt në Gjykatë (edhe pse kjo mund t’ju marrë më shumë kohë).
Para se të plotësoni Formularin e Kërkesës, ju lutemi që të konsultoni “Udhëzimet” për plotësimin e Formularit, të cilin mund ta gjeni gjithashtu në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese.
Pasi që të keni plotësuar Formularin e Kërkesës, ju mund ta dorëzoni atë personalisht në Gjykatë gjatë orarit të rregullt të punës, ose nëpërmjet postës së rregullt apo me postë elektronike (e-mail). Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar dhe asaj duhet t’i bashkëngjiten provat dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme (mos i dorëzoni dokumentet origjinale, për shkak se ato nuk do t’ju kthehen pas përfundimit të shqyrtimit të lëndës).
Kërkesa duhet t’i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm, duhet të përfshijë datën e parashtrimit të saj dhe duhet të jetë e nënshkruar nga personi që e parashtron atë.
Çdo pyetje përkitazi me parashtrimin e kërkesës në Gjykatë mund ta dërgoni në adresën elektronike: [email protected].
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës parashtrues të kërkesës mund të jenë institucionet, por edhe individët (personat juridik dhe fizik).
Në rast se Gjykata Kushtetuese konstaton se kërkesa e një parashtruesi është e lejueshme, ajo do të kërkojë nga pala e kundërt që të parashtrojë përgjigjen apo dokumentet e ndërlidhura me kërkesën. Mungesa e përgjigjes nga pala tjetër nuk ndikon në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese.
Procedura zhvillohet në formë të shkruar dhe Gjykata mund të vendos të mbajë shqyrtim publik kur të jetë e nevojshme që të shqyrtohen çështje të rëndësishme për marrjen e vendimit.
Parashtruesi i kërkesës mund të paraqes rastin e tij/saj para Gjykatës Kushtetuese apo mund ta caktojë personin i cili do ta përfaqësojë atë. Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës këshillohet të angazhojë avokat për të përfaqësuar rastin e tij. Nga secili përfaqësues kërkohet që të paraqesë autorizimin me shkrim nga parashtruesi.