Vizitë në Gjykatën Kushtetuese të Turqisë

26.04.2018

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i përbërë nga gjyqtari Altay Suroy dhe gjyqtarja Gresa Caka-Nimani, udhëtoi për në Ankara, të martën, më 24 prill 2018.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mori pjesë në ceremoninë e kremtimit të përvjetorit të 56-të të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, si dhe në konferencën ndërkombëtare të organizuar me këtë rast, me temë: “Vlerësimi i pesë viteve të para të ankesave individuale”, që u mbajt në kryeqytetin turk, më 25 dhe 26 prill 2018.

Gjatë qëndrimit në Ankara, krahas pjesëmarrjes në përvjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, gjyqtarët Suroy dhe Caka-Nimani u takuan edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, z. Zühtü Arslan, dhe me zëvendëskryetarin e kësaj gjykate, z. Burhan Üstün.

Marrëdhëniet ndërmjet dy gjykatave kushtetuese, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit reciprok, ishin ndër temat që u diskutuan në takimin e përbashkët.