Vizitë e studentëve të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë

04.05.2018

Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës e vizituan studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, të enjten, më 3 maj 2018.

Studentët u pritën në takim nga këshilltari i parë juridik i Gjykatës Kushtetuese, z. Sevdail Kastrati, dhe këshilltarja juridike, znj. Arbana Beqiri-Plakolli.

Funksioni dhe roli që ka Gjykata në bazë të Kushtetutës, organizimi i saj i brendshëm, mënyra e trajtimit të rasteve, përbërja dhe procedura e përzgjedhjes së gjyqtarëve, si dhe raporti me gjykatat e niveleve të tjera në vend, ishin vetëm disa prej temave për të cilat këshilltari Kastrati diskutoi me studentët e Universitetit të Mitrovicës.

Përkitazi me palët e autorizuara për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, fazat e procedimit të kërkesave të parashtruara, strukturën etnike të parashtruesve dhe zbatimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë shqyrtimit të rasteve, studentët i informoi më hollësisht këshilltarja Beqiri-Plakolli.

Gjatë bashkëbisedimit, studentët shprehën interesimin e tyre edhe për të drejtën e Gjykatës Kushtetuese në vetë-inicimin e rasteve, për të drejtën e palëve në angazhimin e avokatëve mbrojtës, për afatet dhe kohëzgjatjen e shqyrtimit të lëndëve, si dhe për kriteret e parashikuara për pranueshmëri të kërkesave.