Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 15 janar 2020

15.01.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 15 janar 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 14/18; 2. KI 31/19; 3. KI 41/19; 4. KI 54/19; 5. KI 90/18; 6. KI 71/19; 7. KI 48/19 dhe 8. KI 39/19.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktgjykim
Lënda: KI 14/18
Parashtrues: Hysen Kamberi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [PML.nr.241/2017], të datës 5 dhjetor 2017, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR.nr.55/2017], të datës 13 korrik 2017 dhe me aktgjykimin e Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj [P.nr.162/2004 PR1], të datës 2 dhjetor 2016. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë aktgjykim i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me nenin 10 (E drejta për dëgjim të ndershëm publik) të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) (a) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 15 dhjetor 2020, me shumicë votash, vendosi:
I. TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
III. TA SHPALLË të pavlefshëm aktgjykimin [PML.nr.241/2017] e 5 dhjetorit 2017, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës;
IV. TA SHPALLË të pavlefshëm aktgjykimin [PAKR.nr.55/2017] e 13 korrikut 2017, të Gjykatës së Apelit të Kosovës;
V. TA SHPALLË të pavlefshëm aktgjykimin [P.nr.162/2004 PR1] e 2 dhjetorit 2016, të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj;
VI. TA KTHEJË çështjen në rigjykim në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj, në përputhje me konstatimet e këtij Aktgjykimi;
VII. TË URDHËROJË Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës.

2. Aktvendim
Lënda: KI 31/19
Parashtrues: Shpresa Ferati – Duraku

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 387/2018], të datës 5 dhjetor 2018, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 24 [Barazia para ligjit], nenin 31 paragrafi 1 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], nenin 49 paragrafi 1 [E drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 6 paragrafi 1 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 paragrafi 1 (E drejta për zgjidhje efektive), nenin 17 paragrafi 1 (Ndalimi i shpërdorimit të të drejtave), si dhe me nenin 1 paragrafi 2 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit Shtesë Nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

3. Aktvendim
Lënda: KI 41/19
Parashtrues: Ramadan Koçinaj

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [AA. nr. 395/2018], të datës 13 shtator 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], nenin 46 [Mbrojtja e pronës], nenin 113, paragrafi 7 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (1)(b), 39 (2), 32 (6) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

4. Aktvendim
Lënda: KI 54/19
Parashtrues: Pashke Krasniqi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR. nr. 329/18], të datës 23 gusht 2018, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendonte t’i jenë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(c) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

5. Aktvendim
Lënda: KI 90/18
Parashtrues: Nedvedete Ponosheci dhe Atdhe Ponosheci

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml. nr. 89/2018], të datës 8 maj 2018, në ndërlidhje me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR.nr.397/17], të datës 19 gusht 2017 dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë [PKR.nr.61/14], të datës 21 qershor 2017. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se me këtë vendim janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me nenin 21 [Parimet e përgjithshme], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe me nenin 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, si dhe me nenet 53 [Interpretimi i dispozitave për të drejtat e njeriut] e 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(b) e (3)(b) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

6. Aktvendim
Lënda: KI 71/19
Parashtrues: Avni Vula

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së: (i) obligimit të shtetit kosovar për nxjerrje të ligjit për kthim-restituim të pronës dhe (ii) për shpalljen nule dhe të pavlefshme të të gjitha ligjeve, rregulloreve, dekreteve dhe vendimeve gjyqësore lidhur me të drejtat pronësore të ish-Jugosllavisë që nga viti 1945 e deri në ditët e sotme. Parashtruesi në kërkesën e tij pretendonte shkelje të neneve 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6. 1 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] e 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.1 të Kushtetutës, me nenin 22 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(a) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

7. Aktvendim
Lënda: KI 48/19
Parashtrues: Nderim Fetahu

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP. nr. 16/2019], të datës 31 janar 2019, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [A. A. nr. 159/2018], të datës 21 nëntor 2018 dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [A. nr. 396/2016], të datës 23 shkurt 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë aktgjykim janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenet: 21 [Parimet e përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i njeriut], 24 [Barazia para ligjit], 37 [E drejta e martesës dhe familjes], 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes], 46 [Mbrojtja e pronës], 47 [E drejta për arsimin], 48 [Liria e artit dhe shkencës], 49 [E drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit] dhe 50 [Të drejtat e fëmijës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (1)(b) e (d), 39 (2) dhe 57 (1) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.

8. Aktvendim
Lënda: KI 39/19
Parashtrues: Raif Maloku

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [AC. nr. 4981/2017], të datës 15 maj 2018, në lidhje me aktvendimin e Gjykatës së Apelit [CN. nr. 38/2016], të datës 10 tetor 2017, aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 12/2016], të datës 18 janar 2016, aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 3824/2015], të datës 29 tetor 2015, dhe aktvendimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 568/2014], të datës 14 prill 2015. Në kërkesën e tij, parashtruesi pretendonte se me këto aktvendime i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 3 [Barazia para ligjit], paragrafin 1 të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 19 [Zbatimi i së drejtës ndërkombëtare], nenin 21 [Parimet e përgjithshme], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], nenin 24 [Barazia para ligjit], paragrafin 1, 2 dhe 3 të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], nenin 37 [E drejta e martesës dhe familjes] dhe nenin 50 [Të drejtat e fëmijës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(c) e (3)(b) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.