Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 11 dhjetor 2019

11.12.2019

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 11 dhjetor 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI. 37/19; 2. KI 35/18 dhe 3. KI 112/18.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 37/19
Parashtrues: Federata e Taekwondo e Kosovës

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [A. nr. 870/2016], të datës 20 shkurt 2018, përkitazi me vendimin nr. 29/2018, të datës 11 prill 2018, të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, me anë të së cilit pala parashtruese pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para ligjit], nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e pronës] dhe nenin 49 [E drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës, gjithashtu kërkoi vendosjen e masës së përkohshme, inter alia me arsyetimin se “pësojnë dëm të pariparueshëm”, duke iu referuar kështu dëmit financiar dhe pamundësisë së regjistrimit të përvojës së punës.
– Gjykata, në pajtim me nenet 113.7, 21.4 dhe 116.2 të Kushtetutës, me nenet 27 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(b), 39(2), 57 e 59 të Rregullores së punës, vendosi të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme dhe të deklarojë kërkesën të papranueshme.

2. Aktgjykim
Lënda: KI 35/18
Parashtrues: “Bayerische Versicherungsverbrand”

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [E.Rev.nr.18/2017], të datës 4 dhjetor 2017, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ae.nr.12/2016], të datës 6 qershor 2017, dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [III.C.nr.626/2013], të datës 30 tetor 2015. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë aktgjykim i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4, të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullin 59 (1)(a) të Rregullores së punës, vendosi me shumicë votash:
I. TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës dhe të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
III. TA SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, E. Rev. nr. 18/2017, të 4 dhjetorit 2017;
IV. TA KTHEJË Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, E. Rev. nr. 18/2017, të 4 dhjetorit 2017, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
V. TA URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;
VI. TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pajtim me këtë urdhër;

3. Aktvendim
Lënda: KI 112/18
Parashtrues: Mehrije Rexha

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP.nr.43/2018], të datës 26 qershor 2018, me të cilin parashtruesja pretendonte se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 21 [Parimet e përgjithshme], paragrafin 5 të nenit 31 [E drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm], si dhe me nenin 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 1, të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullave 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.