Themelimi i sekretarisë së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës

02.02.2009

Me themelimin e Sekretarisë së Përkohshme të Gjykatës Kushtetuese Kosova ka shënuar edhe një ngjarje të rëndësishme në zhvillimin e saj demokratik. Të hënën më 2 shkurt 2009, Sekretaria e Përkohshme ka filluar tu shërbejë institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, duke u ofruar atyre mundësi ligjore për të parashtruar kërkesat në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sekretaria e Përkohshme është e vendosur në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Qyteza Pejton, ish objekti i TMK-së në Prishtinë.Gjykata Kushtetuese e Kosovës zyrtarisht është themeluar në janar të vitit 2009. Me autoritetin e saj për shqyrtimin e legjislacionit dhe kërkesave individuale për shkeljet e të drejtave, Gjykata është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë dhe është arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Organizata East West Management Institute (EWMI), me një grant nga DFID-i i Mbretërisë së Bashkuar, ofroj ndihmën kryesore teknike për grupin punues të qeverisë së Kosovës që ishte i ngarkuar për themelimin e Gjykatës.

Organizata EWMI, një organizatë jofitimprurëse nga SHBA-ja, tashmë e ka krijuar reputacionin e vet në Kosovë dhe ka më shumë se 18 vjet përvojë të punës në Ballkan në promovimin e sundimit të ligjit, reformës së tregut dhe ndihmës për shoqërinë civile.

Themelimi i shpejtë dhe i suksesshëm i Gjykatës është rezultat i mbështetjes dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ndërmjet Zyrës së Presidentit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Shërbimeve Publike dhe ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Duke folur nga Nju Jorku, Adrian Hewryk, Kryetar i EWMI-së, theksoi, “Ne lavdërojmë përkushtimin dhe profesionalizmin e të gjitha institucioneve të angazhuara në ketë përpjekje, e cila ka rezultuar në themelimin e suksesshëm të këtij organi shumë të rëndësishëm juridik.” Gjatë këtij procesi EWMI shërbeu si sekretari e grupit, i ofroi grupit ekspertizë të rëndësishme dhe bashkërendoi punën e palëve të angazhuara vendore dhe ndërkombëtare. Si rezultat, grupi punues arriti rezultate mbresëlënëse:

Presidenti Sejdiu, në një letër dërguar EWMI-së i përgëzoi ata për ketë arritje të madhe dhe e ofroi mbështetjen e tij dhe të institucioneve të Kosovës për zhvillimin e mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ligji për Gjykatën Kushtetuese i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në nëntor, pas gjashtë muajsh pune intensive të grupit punues;

  • Buxheti i Gjykatës u përgatit dhe u përfshi në planin buxhetor të Qeverisë;
  • Grupi u pajtua për strukturën organizative të Sekretarisë së Gjykatës; dhe
  • U gjetën lokacionet e përkohshme dhe të përhershme për Gjykatën. Përveç kësaj, EWMI përgatiti draftin e Rregullores së punës për Gjykatën e cila do tu jepet për shqyrtim anëtarëve të Gjykatës sapo të emërohen.

Pasi që do të jetë institucion i ri për kosovarët, Gjykata do ketë nevojë për ndihmë të madhe teknike nëse dëshiron të themelohet si duhet dhe të jetë efektive.

EWMI-ja ka zhvilluar një varg programesh trajnimi dhe fushatash të informimit publik për tu përballur me ketë sfidë të madhe dhe për të siguruar që personeli i Gjykatës të jetë i kualifikuar dhe trajnuar mirë, që anëtarët e Gjykatës të kenë kapacitetet për të përmbushur mandatin, që avokatët vendorë të kuptojnë se si duhet t’i parashtrojnë kërkesat në Gjykatë dhe që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për Gjykatën dhe rëndësinë e saj.