Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina” vizituan Gjykatën

09.11.2018

Një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, vizitoi Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të premten, më 9 nëntor 2018.

Studentët u pritën në takim nga këshilltari i Parë juridik i Gjykatës Kushtetuese, z. Sevdail Kastrati, dhe nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim, z. Veton Dula.

Gjatë takimit të mbajtur, këshilltari Kastrati i njohu studentët më për së afërmi me rolin, me funksionin dhe me përgjegjësitë që ka Gjykata Kushtetuese sipas Kushtetutës, me strukturën organizative, me përbërjen aktuale, si dhe me sfidat e përballura gjatë shqyrtimit të kërkesave të parashtruara, veçanërisht pas largimit të katër gjyqtarëve kushtetues muaj më parë.

Këshilltari Kastrati në vazhdim foli edhe për vendimet më me rëndësi të Gjykatës dhe ndikimin që kanë pasur këto vendime në sundimin e së drejtës, por edhe në organizimin shtetëror e politik të vendit, duke ilustruar njëherësh me shembuj praktik zbatimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në procesin e vendimmarrjes.

Për përdorimin e ueb-faqes së re të Gjykatës Kushtetuese, hulumtimin e përmbajtjes dhe veçanërisht të vendimeve të publikuara, duke u bazuar në kriteret specifike të kërkimit të avancuar, studentët u informuan më në detaje nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim së Gjykatës, z. Veton Dula.